Dimitrov: Me Kotzias arritëm të pamundurën

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka reaguar për herë të parë pas dorëheqjes së Nikos Kotzias.

Dimitrov është shprehur se me Kotzias arritën të realizojnë diçka që në 27 vitet e mëparshme konsiderohej e pamundur.

Ndërsa theksoi se do të vazhdojnë angazhimin për të përfunduar zgjidhjen historike.

Nikolla Dimitrov: “Të udhëhequr nga kryeministrat Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev, me ministrin e Punëve të Jashtme Kotzias kishte muaj intensiv të komunikimit, u bëmë miq të vërtetë dhe për një vit kemi arritur të bëjmë diçka që në 27 vitet e mëparshme ishte konsideruar si e pamundur. 

Kemi afruar dy vendet tona dhe arritëm Marrëveshjen historike të Prespës, ndërtuam urë miqësie dhe dëshmuam se rajoni ynë mund të zgjidhë mosmarrëveshjet dhe mund të krijojë ardhmëri. 

Nikos, nga zemra të dëshiroj shëndet të mirë dhe suksese në sfidat e ardhshme. Nga ana jonë, ne do të vazhdojmë me një angazhim të fuqishëm për të përfunduar zgjidhjen historike, së bashku me forcat e tjera progresive dhe demokratike në Shkup dhe Athinë.” 

Ministri i Jashtëm grek dha dorëheqjen të mërkurën dhe postin e tij e mori kryeministri i vendit Tsipras.

Arsyeja e dorëheqjes lidhet me qëndrimin e kryeministrit Tsipras për të “lënë zbuluar” shefin e diplomacisë helene, në një përplasje me ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos të martën, (16 tetor) gjatë një mbledhjeje të qeverisë.

SHKARKO APP