DW: Tridhjetë vjet pas luftës, mbi 11.000 të pagjetur akoma në hapësirat e ish-Jugosllavisë

Varrezat masiveFotografi: Idro Seferi/DW

Tridhjetë vjet pas luftës, Bosnjë-Hercegovina po kërkon më shumë se shtatë mijë të pagjetur. Në nivel të rajonit ky numër është 11 mijë.
Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Serbia, Kroaciadhe Mali i Zi janë në kërkim të 11.000 personave të pagjetur, të cilët janë zhdukur në kohën e konflikteve të përgjakshme në ish-Jugosllavi në 30 vitet e fundit. Nga ky numër, 7.600 persona kërkohen në Bosnjë-Hercegovinë, ku kërkimi vazhdon edhe gati tre dekada pas luftës. Shumica e personave nga zona e Hercegovinës Lindore që janë ende në kërkim janë nga Nevesinja. Aljonka Xheletoviq ka më shumë se 30 vjet në kërkim të vëllait të saj. Ai u zhduk më 15 qershor 1992. Megjithëse ajo mblodhi vetë provat për vite të tëra dhe ia dorëzoi Prokurorisë së B-H-së, nuk ka asnjë përparim.
“Nuk e kam të qartë si person, si motër, që ende nuk po arrij ta varros si duhet”, thotë mes lotësh Aljonka, duke sqaruar se gjatë hetimeve ka gjetur prova edhe në vendin e ngjarjes, ka gjetur edhe emrat e personave që e morën.

Dhimbje e papërshkrueshme
“Ai u kap i gjallë. Sipas të gjitha konventave, ai duhej të ishte shkëmbyer si rob lufte. Ne e dimë se kush e vrau. Por trupi i tij, duke qenë se është objekt i krimit, është fshehur”, thotë Aljonka, e cila thotë se tetë vite më parë ka dorëzuar të gjitha provat në Prokurorinë e Bosnje-Hercegovinës, por se çështja është në sirtar dhe se askush nuk dëshiron të nisë një hetim.
“Është e pamundur të përshkruash dhimbjen e këtyre 30 viteve të fundit, jo vetëm timen, por edhe të gjithë atyre që janë në kërkim të njerëzve të tyre të dashur”, thotë Aljonka.
Bashkëbiseduesit tanë, pavarësisht se cilit grup etnik i përkasin dhe pavarësisht se ku i kërkojnë trupat e të afërmve të tyre, në ditën ndërkombëtare të personave të pagjetur paralajmërojnë edhe një herë se politika është fajtori kryesor që procesi i kërkimit të personave të pagjetur në të gjithë rajonin nuk ka përfunduar. Ky proces ka ngecuar në veçanti në vitet e fundit. Edhe pse tani ekziston një bashkëpunim rajonal në kuadër të të cilit së fundi u shkëmbyen mbetje mortore ndërmjet B-H dhe Serbisë në pikën kufitare të Raçës, në praktikë zbardhet një numër shumë i vogël i rasteve.
“Po të kishte vullnet politik, do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Por politikanët e përdorin këtë edhe për interesat e tyre personale, duke mos lejuar që një kapitull i tmerrshëm i historisë sonë të përfundojë dhe të vazhdojmë përpara”, tha për DW Semina Alekiq, kryetarja e Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur në B-H, duke kujtuar se kujtuar se ky vend ka një ligj për personat e pagjetur, por që nuk zbatohet në praktikë.
“Dihet saktësisht se cila ishte përgjegjësia komanduese, ndaj 100 apo 200 persona nuk mund të zhduken dhe të mos di askush se çfarë ka ndodhur. Vrasjet ishin sistematike për të cilat dihet se kush i ka bërë. Pra, të gjithë dinë gjithçka por vetëm heshtin”, thotë Alekiq, duke përmendur si shembull pozitiv krijimin e një liste rajonale prej 11.000 personash që kërkohen.

Bashkëpunimi rajonal
Kjo listë pamundëson deri diku manipulimet dhe abuzimet e autoriteteve me shifrat. Por, mungesa e informacionit për vendndodhjet e e personave të pagjetur dhe pengesat politike, ende e kufizojnë manovrën dhe kërkimin e tyre nga të gjitha anët.
Instituti për Persona të Zhdukur të Bosnjë-Hercegovinës thotë se bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit është i mirë dhe se në këtë kuadër zbatohen edhe marrëveshjet e bashkëpunimit. Një nga arritjet e mëdha është edhe formimi i Grupit për Persona të Zhdukur, në kuadër të të cilit böhet edhe bashkëpunimi rajonal për të njëjtat çështje dhe aktivitete.
“Kjo ka rezultuar me krijimin e një databaze rajonale për persoant e zhdukur, me analizat e mbetjeve të paidentifikuara në morgje, shkëmbimin e të dhënave dhe informacionive, si dhe me përfshirjen e familjeve në procesin e kërkimit të të zhdukurve dhe organizimin e përkujtimeve të përbashkëta”, thotë zëdhënësja e Institutit Emza Fazliq.
Situata është pak a shumë e njëjtë edhe për vendet e tjera të rajonit, kur bëhet fjalë për përsonat e pagjetur. Politika është frena kryesore e të gjitha proceseve. Sipas të dhënave të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, që nga viti 1999 në Kosovë janë zhdukur 4500 persona. Rreth 1600 janë ende të pagjetur. Pala kosovare po kërkon hapjen e arkivave nga Serbia sipas marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sipas së cilës palët angazhohen të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet, përfshirë ato të shënuara si konfidenciale.
Duhet të gjejmë mekanizmin e duhur që do të fillonte procesin e kërkimit të të zhdukurve, sepse mekanizmi aktual nuk po jep rezultate të mira, thotë Natasha Shqepanoviq nga Shoqata e Familjeve “Kosmetski stradalnici”, duke kujtuar se procesi i zbardhjes së fatit të personave të pagjetur nga lufta e Kosovës është ndalur.
“Pengesat dhe manipulimet janë të ndryshme dhe një nga shkaqet kryesore është politika, pra mungesa e vullnetit politik. Dhe kjo nuk është politikë, ka të bëjë me njerëzit, me familjet që kërkojnë të dashurit e tyre. Një detyrë e kom plikuar është prapa nesh, kam frikë se nuk kemi shumë kohë”, thotë Shçepanoviq.
“Politika nuk dëshiron t’i zgjidhë gjërat sepse dikush prej tyre duhet të përgjigjet për krimet që janë bërë”, ka deklaruar për DW Bajram Çerkinaj nga Mitrovica, i cili është në kërkim të djalit të tij që nga viti 1999.
Qendra për Personat e Zhdukur në Kosovë organizoi ditë më parë një tryezë të rrumbullakët në Prishtinë, ku familjet nga të dyja palët edhe një herë apeluan që të gjithë të angazhohen seriozisht për zgjidhjen e problemit të personave të pagjetur.
“Për një periudhë të gjatë prej 25 vitesh, familjet nuk e ndjejnë se qeveritë në Beograd dhe Prishtinë mendojnë se ne jemi njerëz dhe se presim njerëzit tanë. Ne presim një politikë të pavarur. Të dashurit tanë duhet të kthehen në familjet tona. Ne po kërkojmë nga të gjitha institucionet në Kosovë, Serbi dhe komunitetin ndërkombëtar që të na qetësojnë zemrat sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Çerkinaj.
Procesi i identifikimit të viktimave përfundon kur personi identifikohet me metodën e ADN-së, por edhe kur ai identifikim konfirmohet nga familjarët. Vetëm atëherë viktimat që janë identifikuar hiqen nga lista e personave të kërkuar. Në Bosnjë-Hercegovinë ka rreth 2800 raste apo mbetje viktimash në 12 morgje ku është bërë ADN-ja, por nuk ka patur asnjë përputhje me mostrat e gjakut të familjarëve të personave të zhdukur.
“Mendova se dhimbja ime për vëllain tim ishte më e madhja, por kur dëgjova historinë e një gruaje, më duhet të them se, mjerisht, ka fate edhe më të vështira. Kështu edhe krijohet një mirëkuptim më i madh, duke dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke kuptuar se dhimbja është universale. Në këtë mënyrë mund të luftojmë së bashku”, përfundon Aljonka Xheletoviq.
DW/ Dragan Maksimovic

SHKARKO APP