”E rrihnin të gjithë”, e motra e viktimës: Fëmija do lindte sot, doli për të blerë bukë dhe e vrau

Në orët e fundit të shtatzanisë, Hamide Magashi u vra në oborrin e maternitetit të Prishtinës, dhe kjo ngjarje ka detaje rrënqethëse dhe të forta emocionale. Motra e viktimës në një gjendje të rëndë emocionale, tregon se 35-vjeçarja ishte shtruar në maternitet dhe se foshnja do të vinte në jetë sot. Burbuqe Brahimi ka bërë të ditur se e ndjera ka qenë vetëm 3 muaj e martuar me Sokol Halilin, dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë pre e dhunës fizike dhe psiqike nga bashkëshorti i saj.

“Motra ime ka qenë vetëm tre muaj e martuar. Ish-burri vinte te shtëpia jonë. Ne jemi vetëm motra pa prind e vëlla. Ai i ka thënë s’ke çka shkon në shtëpi të babës se nuk e ke askënd. Kemi shkuar se ka pasur dhunë, e kanë rre, e kanë maltretua, e kanë shti brenda, me armë i kanë rënë në kokë, krejt trupin e ka pas të plogësht, krejt e mavitë ka qenë, se kanë lanë me ardh në Llugagji kurrë te shtëpia e babës këtu, kurrë hiç hiç me u bashku me motra”.

Ajo thotë se e motra kishte kërkuar shpeshherë ndihmë, ata nuk e linin, edhe pse ka pasur urdhër-mbrojtje. Sipas saj, në kohën e krimit ajo kishte dalë për të blerë bukë kur u vra barbarisht nga ish-burri. Ajo ka thënë se i dyshuari kishte kërkuar që fëmija pas lindjes do ta merrte ai, si edhe tregon se kanë lajmëruar policinë për këtë rast, por që nuk kanë marrë ndonjë ndihmë.

“Sot në mëngjes ka pas me lind, edhe pasi të lindte fëmija, ka pas me ia dhënë ish-burrit. E kemi lajmërua rastin edhe në Polici më herët, por na kanë thënë keni mbrojtje, por askush kurrë nuk ka ardhë me këqyr”, ka vijuar Brahimi.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në oborrin e spitalit në Prishtinë, ndërsa ka tronditur opinionin publik dhe ka trazuar ujërat e politikës në Kosovë, me opozitën që e drejton gishtin nga qeveria, e cila ka paralajmëruar dorëheqje dhe shkarkime në radhët e policisë.

SHKARKO APP