E ulën në fund të aktivitetit, Parisi i kërkon falje Vuçiçit: Gabim fatkeq
Ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni, i ka kërkuar falje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit është shprehur me zemërim për mënyrën se si është trajtuar gjatë shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Paris.
Ambasadori Mondoloni ka kërkuar falje një ditë pasi Vuçiq u është bashkuar dhjetëra liderëve në Paris për të shënuar armëpushimin e vitit 1918.
Në ceremoninë e 11 nëntorit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka qenë afër liderëve të Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, derisa Vuçiq ka qenë i ulur në anën përballë.
“Nuk mund të besoja se çfarë po shihja para meje, duke e ditur sakrificën e popullit serb në Luftën e Parë Botërore”, është cituar të ketë thënë Vuçiq për mediat serbe.
Mondoloni ka thënë për Prva TV se përcaktimi i ulëseve në ceremoninë e Parisit ka qenë “një gabim fatkeq” dhe i ka kërkuar Vuçiqit ashtu si edhe popullit serb të pranojnë kërkimfaljen.
“Serbia ka humbur pothuajse një të tretën e popullsisë në luftë, 62 për qind të të gjithë burrave. Nuk e di se çfarë ka ndodhur (në Paris)”, është shprehur ai.
Vuçiq më pas ka falënderuar Mondolonin përmes një postimi në Twitter për siç ka thënë “fjalët e mrekullueshme dhe respektin që ka treguar për viktimat serbe”.