Edita Tahiri: Marrëveshje historike veç nëse ka njohje reciproke, Serbia ka kryer gjenocid

Marrëveshja historike me Serbinë nënkupton vetëm njohje reciproke. Dialogu i sotëm është vetëm dakordim për fazën finale. Para se gjithash, sot do të diskutohen marrëveshjet e pazbatuara. Serbia ka bllokuar pesë marrëveshje përfshirë energjinë, urën e Ibrit, diplomat, dokumentet kadastrale e zhbërja e strukturave paralele në shëndetësi e arsim. Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri flet për Express

Njëra prej zyrtareve të Kosovës që ka negociuar më së gjati me palën serbe në Bruksel, Edita Tahiri thotë se Presidenti Hashim Thaçi dhe Aleksander Vucic do të dakordohen sot për  fazën finale të dialogut.

Ajo konsideron se ballafaqimi i sotëm i dy presidentëve do të jetë në fokus të zbatimit të marrëveshjeve që kanë mbetur pezull nga të dyja palët.

Në fakt, Tahiri thotë se Serbia ka bllokuar pesë marrëveshje derisa Kosova s’ka ecur si duhet të zbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sidoqoftë, ajo thotë se tema e energjisë është kryesorja për t’u zbatuar për shkak të implikimeve që ka dy shtete dhe më gjerë.

“Në fakt ky takim sot në Bruksel i shërben e para, analizës së marrëveshjes së pazbatuara dhe obligimeve të palëve për t’i zbatuar ato. Ndonëse është bërë zvaritje të madhe. Ka pasur një bllokade të zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë në pesë marrëveshje dhe e Kosovës në një”, ka thënë Tahiri, për Express, të dielën.

“Serbia ka lënë pesë marrëveshje të pazbatuara. Pra, nuk është vetëm energjia. Nuk e ka zbatuar as marrëveshjen per hapjen e urës së Ibrit, Kadastrat nuk i ka kthyer, njohjen e diplomave e ka bllokuar që nga viti  2011, e ka pas obligim zhbërjen e strukturave paralele në arsim e shëndetësi. Kosova e ka nisur hartimin e Statutit të Asociacionit, por ka mundur të ecë më shpejt me Asociacionin”, ka shtuar ajo.

Por, çka nënkupton marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qysh po paralajmërojnë Presidentët?

Edita Tahiri jep përgjigjen.

“Të bëhet e qartë: Një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë historikë vetëm nëse sjell njohjen reciproke. Në variante tjetre nuk është historike dhe nuk sjell paqe. Në këtë mënyrë të paguajë për fajet dhe gjenocidin në Kosovë”, thotë ish-kryenegociatorja.

Ajo ka thënë se Kosova e ka kryer kompromisin në Vjenë derisa në Bruksel s’ka më çka të japë.

“Kompromisi është bërë në bisedimet e Vjenës. Plani i Ahtisaarit është vija e kuqe”, ka shtuar ajo.

Presidenti Hashim Thaçi ka udhëtuar në Bruksel për t’u takuar me Aleksander Vucicin. Mirëpo, atje, Shefi i Shtetit ka shkuar i vetëm.

Edita Tahiri thotë se për dialogun përfundimtar duhet të ketë një ekip gjithëpërfshirës të cilit do t’i printe Presidenti qysh ka ndodhur vazhdimisht.

“E para, sot është vetëm një dakordim formal për fillimin e fazës finale. Sepse bisedimet e fazës përfundimtare do t’i bëjë me një delegacion që do të ketë autorizim nga Kuvendi i Kosovës. Një delegacion shumpërfshirës. Presidentit i takon të udhëheq delegacionin. Praktika ka qenë që Presidenti duhet të jetë në krye të delegacionit”, ka shtuar ajo.

SHKARKO APP