Edita Tahiri: Njohja e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë i shërben paqes në Ballkan

Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri po qëndron në Liban me ftesën e Iniciativës për Dialog të Libanit (LDI). Në kuadër të kësaj vizite, Tahiri po merr pjesë në Konferencën “Dialogu dhe praktikat e mira: paqe-stabilitet-prosperitet”, ku të pranishëm janë përfaqësues të botës akademike, fetare, politike e intelektuale të Libanit, si dhe pjesëmarrës ndërkombëtarë.

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit të Kosovës bëhet e ditur se një panel i konferencës i është kushtuar dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ku pjesë e panelit ishin përfaqësuesit e dyja shteteve. Gjatë këtij paneli ministrja Edita Tahiri foli për historinë e përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe proceset për paqes që nga Rambuje, Vjena dhe tani në Bruksel, si dhe për progresin e shtetit të Kosovës në forcimin e shtetit sovran dhe demokratik.

Ministrja Tahiri gjatë fjalimit të saj theksoi se njohja e ndërsjellë mes dy shteteve sjellë një paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe Evropë, duke ndërtuar marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Duke u ndalur tek roli i saj si negociatore e paqes në bisedimet e Brukselit, Tahiri tha se “Populli jonë kërkonte që dialogu me Serbinë të fillojë pasi Serbia të kërkoj falje për gjenocid dhe pasi ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe kishin të drejtë, mirëpo dialogu për paqe është proces që do rezultojë me zgjidhje në këto kërkesa.”

Duke vënë në dukje se tanimë janë arritur më se tridhjetë marrëveshje dhe se në të ardhmen do të arrihen edhe të tjerat, Tahiri vuri në dukje se “Fitimi i luftës është një fitore e madhe por fitimi i paqes është të sigurosh një të ardhme më të mirë për gjeneratën e ardhshme”.

Ajo shprehu se edhe gjatë periudhës së luftës, në konferencën e Rambujesë, kanë bërë bisedime për paqen me Serbinë, por që Serbia e asaj kohe të Millosheviqit ishte agresore dhe se kishte shkatërruar jo vetëm Kosovën, por edhe Ballkanin, Bonjën dhe Kroacinë.

Duke vënë në dukje se që të dyja shtetet, si Kosova ashtu edhe Serbia duan të bëhen anëtare të BE-së, Tahiri u shpreh se kjo e fundit ia ka bërë të qartë të dyjave se për anëtarësimin në BE duhet të krijohen marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore. “Që kjo të jetë e mundshme Serbia duhet të heqë nga Kosova strukturat e saj paralele që i ka vendosur në Kosovë pas përfundimit të luftës dhe OKB përmes misionit në Kosovë ka dështuar që të qeverisë të tërë Kosovën, një pjesë e saj ka mbetur nën tension”, tha Tahiri.

Ajo së fundi shtoi se qëllimi i Kosovës është integrimi i të gjithë minoritetit serb, duke vënë në dukje se “Kushtetuta jonë garanton standarde të mira për të gjitha pakicat që jetojnë në Kosovë dhe për serbët akoma më shumë të drejta se të tjerët me qëllim që të ndihmohet procesi paqësor në mes të dy shteteve.”

Në këtë panel ka folur edhe përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë në Dialogun e Brukselit, Marko Gjuriç.-AA

SHKARKO APP