Eliot Engel vizitë në Beograd

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, siç e cilëson “Novosti” i Beogradit, me dekada lobist për shqiptarët, mbështetës i pavarësisë së Kosovës dhe i bombardimit të Serbisë më 1999, nesër, do të jetë mysafir i Kuvendit të Serbisë.

Ai do të bisedojë me nënkryetarin e Parlamentit, Vlladimir Marinkoviçin, kryetarin e Këshillit për politikë të jashtme Zharko Obradoviçin, dhe deputetët Gordana Çomiç dhe Sandra Bozhiç.

Sipas mediave serbe, kongresisti Engel ka bërë kërkesë që të vizitojë Parlamentin serb.

Konstatimit se bëhet fjalë për lobist ekstrem të shqiptarëve, i cili shfrytëzon çdo rast për të folur kundër Serbisë, Marinkoviç citohet të jetë përgjigjur: “Po, është lobisti më ekstrem. Por për ne është i rëndësishëm çdo rast. Sikur para njëzet vjetësh të kishim komunikime me kongresistë, do të kalonim më mire.Thelbi është se ne jemi të hapur për komunikim, madje edhe me ata që zbatojnë një politikë që nuk është në përputhje me interesat e Serbisë”

“Le të përpiqemi t’i bindim lobistët që të ndryshojnë qëndrimet. Gjëja më e keqe është ti lëmë ata nën ndikimin e propagandës së njëanshme dhe lobimit të shqiptarëve tashmë mbi 30 vjet. Ne jemi të bindur se imazhi i serbëve, por edhe opinioni publik në Perëndim, është plotësisht i shtrembëruar. Ne kemi nevojë për të vënë në dukje siç është gjendja aktuale me të vërtetën dhe se ne kemi të drejtë për t’i mbrojtur ata. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndryshojmë imazhin që është krijuar rreth nesh”, shpjegon Marinkoviç.

Gazeta “Novosti” e Beogradit rikujton se Eliot Engel ka organizuar në Dhomën e Përfaqësuesve panelin ku është pohuar për dhunimin e 20 mijë grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë. “Në Kosovë ai është yll. Në Pejë një rrugë e ka emrin e tij, ndërsa pulla postare me figurën e tij kushton madje dy euro”, shkruan kjo gazetë.

SHKARKO APP