“Emigrantët po vdesin në Bosnje”
Vetëm një ditë përpara zjarrit që lëndoi 32 vetë në një kamp emigrantësh në veri-perëndim të Bosnje e Hercegovinës, kryqi i kuq ndërkombëtar kishte dhënë alarmin për gjendjen e vështirë të refugjatëve në këtë vend. “Emigrantët po vdesin në Bosnje”, thoshte organizata humanitare, e cila kujtoi sesi disa prej tyre kishin ndërruar jetë ndërsa kërkonin strehim. Kampi Miral ku ra zjarri strehon 500 emigrantë.
Të lënduarit u dërguan në spitalin e Kladusës së madhe, por episodi, që fatmirësisht nuk përfundoi në tragjedi, ndihmoi të tërhiqej vëmendja tek gjendja e mjerueshme e këtyre të huajve që kanë mbetur të bllokuar atje. Përpara disa javësh, thotë Indira Kulenovic e kryqit të kuq, tre emigrantë që flinin në një ndërtesë të braktisur u dogjën të gjallë nga zjarri i nisur nga qirinjtë që përdornin për ndriçim. Shumë shpejt pas kësaj, një tjetër ra nga katet e larta të godinës ku qëndronte dhe vetëm javën e kaluar një burrë i vuri flakën vetes nga depresioni.
Gjendja psikologjike e këtyre njerëzve është shumë e rënduar, thotë ajo. Rreth 25,000 persona nga Azia dhe Afrika veriore, kanë hyrë në Bosnje nga Serbia dhe Mali i Zi, vitin e kaluar. Vetëm rreth 3,500 prej tyre janë akomoduar në qendrat e përkohshme, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur rrugëve.