Emri i Maqedonisë, OKB kanë besim se Athina dhe Shkupi mund të shënojnë progres

Për Kombet e Bashkuara, Shkupi dhe Athina mund të arrijnë progres në zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë. OKB ka vlerësuar bisedimet e deritanishme mes palëve, ndërkohë që ka ftuar palët në Greqi e Maqedoni të gjejnë kompromisin e munguar në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.

Kombet e Bashkuara kanë besim se Athina dhe Shkupi mund të shënojnë progres në zgjidhjen e kontestit 26-vjeçar për emrin e Maqedonisë. Zëdhënësi i OKB Farhan Haq u shpreh për gazetarët se “bisedimet e ndërmjetësuara nga organizata kanë sjellë një frymë pozitive në gjetjen e një zgjidhjeje me shpirtin e duhur të kompromisit nga lidershipi dhe popujt e dy vendeve.”

Matthew Nimetz, i dërguari special i OKB i cili po ndërmjetëson bisedimet lidhur me çështjen ndodhet tashmë në Athinë, ku ai po zhvillon takime me zyrtarë të lartë në Greqi për të arritur në një zgjidhje për kontestin e emrit. Të mërkurën, Nimetz do të niset drejt Maqedonisë për takime me zyrtarët në Shkup. Ndërkaq, i dërguari special nuk ka komentuar ende mbi idetë që ai i ka paraqitur palëve.

Kujtojmë se kontesti lidhur me emrin e Maqedonisë daton që prej shtatorit 1991, kur vendi shpalli pavarësinë. Për Greqinë, emri Maqedoni sugjeron pretendimet territoriale të Shkupit për rajonin verior grek me të njëjtin emër, kontest që ka penguar përpjekjet e vendit ballkanik për t’iu bashkuar NATO-s e Bashkimit Europian. Por zyrtarë nga të dy vendet kanë shprehur vullnetin për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje deri në fund të 2018 dhe palët kanë rënë dakord në intensifikimin e negociatave.

SHKARKO APP