Emri i Maqedonisë, referendumi do të jetë fjala e fundit
Referendumi për emrin do të orientojë qeverinë se në cilin drejtim duhet të ecë, është shprehur kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev me rastin e një vjetorit të formimit të qeverisë reformatore. Por para se të realizohet ai, qytetarët duhet të dinë qëndrimet e politikanëve, qëndrimin e qeverisë, ka kërkuar ai.
“Unë jam i bindur se qytetarët do të ndjekin vendimet e qeverisë, vendime këto që janë në të mirë të shtetit dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në vend. Kemi thënë se qytetarët do të mund të japin vlerësimin e tyre në referendum sa i takon çështjes së emrit. Zëri i qytetarëve është zëri më i rëndësishëm në vend”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.
Ai gjithashtu tha se nuk dëshiron të komentoj parashtesat apo prapashtesat që përmban propozimi i ri për emrin pasi tashmë Maqedonia është në prag të zgjidhjes së çështjes mbi 26 vjeçare që ka me Greqinë. “Republika e Maqedonisë Veriore”, “Republika e Maqedonisë së re” dhe “Republika e Maqedonisë së Epërme” janë jozyrtarisht propozimet e fundit për emrin në kuadër të marrëveshjes së arritur nga takimi i fundit në Bruksel midis ministrave të Jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias.
Korniza e marrëveshjes është dakorduar midis dy ministrave të jashtëm dhe se parashihet një plan prej 11 pikave që do të përmbyllë kontestin disavjeçar midis Athinës dhe Shkupit. Kjo kornizë pritet të verifikohet nga dy kryeministrat Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev. Plani 11 pikësh është publikuar edhe nga mediat greke, që do të realizohet në disa faza.
“Të gjithë qytetarët e dinë se këto dy ditë do të zhvilloj bisedë telefonike me kryeministrin grek Cipras. Pas kësaj, unë menjëherë do të informojë të gjithë liderët politik në vend dhe presidentin Ivanov se për çfarë është biseduar”, është shprehur Zaev.
Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov ka drejtuar kritika ndaj qeverisë për mungesë të transparencës në rrjedhën e deritanishme të bisedimeve, në veçanti pas njoftimeve mbi arritjen e kornizës për marrëveshje të mundshme. “Kabineti i Presidentit të Maqedonisë nuk ka marrë asnjë informacion mbi kornizën e dakorduar për zgjidhjen e mundshme të mosmarrëveshjes për emrin, as informacione për dy takimet e fundit të ministrave të jashtëm të mbajtur në Bruksel dhe Nju Jork”., thuhet nga presidenca maqedonase.