Emri që solli dhunë, 7 policë të plagosur dhe 25 protestues të lënduar
Protesta të dhunshme shoqëruan në Shkup njoftimin e arritjes së marrëveshjes së emrit, që i jep fund përplasjeve 27-vjeçare me Greqinë.
Nën thirrjet “tradhti” dhe “kapitullim”, një grup tubuesish u përleshën me policinë përballë ndërtesës së Parlamentit. 25 të ndaluar dhe 7 efektivë të plagosur ishte bilanci i mbrëmjes që errësoi euforinë e nënshkrimit të paktit në Prespë.
Protesta pati edhe në qytetin e Manastirit, të organizuara nga partia opozitare VMRO-DPMNE, lideri i së cilës, Hristijan Mickovski tha se partia e tij asnjëherë nuk do të njohë marrëveshjen, pakënaqësitë ndaj së cilës nuk kanë munguar as në anën tjetër të kufirit.
Pakti historik mori udhë me firmat e ministrave të Jashtëm Dimitrov e Kocias në Psarades dhe fjalimet shpresëdhënëse të Aleksis Tsipras e Zoran Zaev për të ardhmen e fqinjësisë së dy popujve ballkanikë. Ujdia i hap tashmë Maqedonisë së Veriut apo “Severna Makedonijas” mundësinë e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.