Engel i kërkon Brukselit të pezullojë procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE

Ligjvënësi amerikan Eliot L. Engel, dënoi qëndrimin e autoriteteve serbe që nuk i lejuan hyrjen në Serbi, ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ish-presidentja Jahjaga pritej të merrte pjesë në një festival me emrin “Mirëdita.Dobardan” që synon, siç thuhet nxitjen e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve në qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo pritej të fliste të premten në Beograd mbi një libër me dëshmi të grave që u ishin nënshtruar torturave dhe përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

Ligjvënësi Engel i shkroi shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mbi këtë çështje, duke theksuar se mosvullneti i Serbisë për t’u përballur me krimet e së kaluarës, është arsye për të ngadalësuar procesin e anëtarësimit të saj në BE.

“Për vendin ballkanik, Serbinë, të shmangësh diskutimin dhe pranimin e përgjegjësisë për krimet e luftës, paraqet një problem shumë serioz. Nëse nuk adresohet, kjo mund të çojë në përsëritjen e sjelljes nga e kaluara. Sinqerisht, Beogradi thjesht nuk është i gatshëm të bashkohet me komunitetin e demokracive të BE-së nëse nuk e pranon plotësisht të kaluarën dhe nëse nuk merr përgjegjësinë për krimet e luftës”, shkroi ligjvënësi Engel.

Në letrën e tij, zoti Engel shpreh respektin e tij për punën e BE-së në nxitjen e dialogut, mirëkuptimin dhe normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se ndalimi i vizitës së ish- presidentes Jahjaga në Beograd, është shkelje e marrëveshjes së Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve.

Në reagime thuhet se kjo dëshmon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj dhe as për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizim marrëdhëniesh në këmbi të afrimit me Bashkimin Evropian.

 

SHKARKO APP