Erdogan në Serbi, Turqia do të zhvillojë industrinë e mbrojtjes me “armikun” e Kosovës

“Epoka e artë” e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Serbisë nis me “armët e luftës”. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan gjatë vizitës në Beograd, njoftoi se bashkë me nikoqirin Aleksandër Vuçiç kanë vendosur që t’i zhvillojnë së bashku industritë e mbrojtjes. Delegacionet e të dyja shteteve firmosën gjithsej 11 marrëveshje me synimin që vëllimi tregtar të shkoi nga 2 miliardë dollarë në 5 miliardë.

“Ne, si Turqi dhe Serbi, dorë për dore duhet të bëjmë një hap të ri. Ky hap është krijimi i një industrie të mbrojtjes bazuar në ruajtjen e paqes. Ne bashkuam duart në takimin tonë dypalësh dhe caktuam miqtë tanë për këtë qëllim. Tani edhe miqtë do ta bëjnë këtë punë. Askush nuk duhet të përpiqet të diktojë se çfarë duhet të përfshijë përmbajtja e industrisë së mbrojtjes së Turqisë dhe Serbisë përveç nesh”, tha presidenti turk.

Presidenti turk u bë më konkret duke saktësuar se bëhet fjalë për prodhimin e dronëve pa pilotë, që gjerësisht njihen si Bajraktar. Erdogan nuk saktësoi nëse këta lloje dronësh, të cilët i posedojnë si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, do të prodhohen në Serbi. Vuçiç nga ana tjetër shfrytëzoi rastin që të shprehë shqetësimet për Kosovën, përballë “mikut” të tij nga Turqia, shtet të cilin e konsideroi si lojtarin më të madh dhe të fuqishëm në Ballkan.

SHKARKO APP