Erdogan viziton Serbinë në 29 gusht

Agjensica serbe e lajmeve Tanjug njofton se presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të mbërrijë për një vizitë zyrtare në Serbi më 29 gusht. Në kuadër të vizitës së tij dhe takimeve me drejtues të shtetit e të qeverisë, Erdogan do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve të ndërtimit të autostradës Beograd-Sarajevë së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Sipas informacioneve nga burime të mirinformuara, Erdogan do të jetë i pranishëm në fillimin e punimeve për rindërtimin e rrugës që lidh Novi Pazarin me Tutinin. Ndërtimi i rrugës do të kryhet nga kompania turke “Tashjapi” dhe ndërmarrja e rrugëve të Serbisë “Puteva Serbije”. Me ndërtimin e rrugës Beograd-Sarajevë, Serbia do të mund të lidhet me korridorin 5, i cili lidh Hungarinë, Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën, si dhe B-H me korridoret 10 e 11 në brendësi të territorit të Serbisë.

Gjatë një bisede telefonike në korrik midis Vuçiçit dhe Erdoganit, u bë e ditur se të dy presidentët konstatuan përparimin e dialogut politik, si dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Një hap përpara në këtë drejtim ishte edhe vendimi për krijimin e Këshillit të Lartë për bashkëpunim midis Turqisë e Serbisë. Siç bëhet e ditur mbledhja e ardhshme e këtij Këshilli do të mbahet gjatë vizitës së ardhshme të presidentit turk në Serbi. Sipas njoftimit të bërë publik pas bisedës telefonike midis dy presidentëve, Erdogan mbështeti politikën e paqes dhe të bashkëpunimit të presidentit serb Vuçiç, e cila promovon stabilitetin në mbarë rajonin. Të dy presidentët u shprehën të mendimit se vetëm kështu mund të rritet interesi i investitorëve të huaj dhe të sigurohet rritja ekonomike.

SHKARKO APP