Fethullah Gylen: Perëndimi duhet të rrisë presionet ndaj Erdoganit

Një intervistë për Wall Street Journal, Fethullah Gylen nuk ka kursyer akuzat ndaj Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan.

Nga Alan Cullison

Etsajlorsburg, Pensilvani — Kleriku mysliman, i cili bën një jetë të vetmuar dhe që akuzohet nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan për orkestrimin e tentativës së dështuar të grushtit të shtetit të para një viti në Turqi, nga rezidenca e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një intervistë të rrallë, i bëri thirrje perëndimit që t’i kundërvihen atij që ai e quan udhëheqësi gjithnjë e më autoritar i Turqisë.

Në një sallë konferencash të zbukuruar me ornamente, në vendbanimin e tij në malet Pokono, kleriku mysliman, Fethullah Gylen ritheksoi dhe një herë se kurrë nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë tentativë për grusht shteti apo komplot. Ai akuzoi publiksht Presidentin Erdoganpër nisjen e një vale të gjerë spastrimesh brenda Turqisë, dhe pasojat më të rënda të këtyre spastrimeve kanë rënë mbi ndjekësit e tij.

“Kurrë nuk kam menduar që ai mund të shkonte kaq larg dhe se do të bëhej kaq mizor”, tha Gylen, duke theksuar se presidenti turk po shpërthente në histeri masive në të gjithë vendin. “Disa pjesë të shoqërisë turke kanë humbur aftësinë e të menduarit”.

Që nga korriku i vitit të kaluar, Turqia ka arrestuar ose pushuar nga puna dhjetëra mijëra persona, të cilët autoritetet turke i akuzojnë si mbështetësh të z. Gylen. Qeveria ka mbyllur spitalet dhe shkollat e lidhura me lëvizjen e tij, Hizmet, e cila do të thotë “shërbim”.

Qeveria turke tha se ka konfiskuar rreth 4 miliardë dollarë prona dhe asete, në pronësi të biznesmenëve ose fondacioneve që pretendohet se kishin lidhje me lëvizjen.

“Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në Turqi”, tha Gylen. “Kjo që po ndodh atje mund të krahasohet vetëm me periudhën e Leninit dhe Stalinit, ose Sadam Huseinit në Irak”.

Sipas ambasadorit të Turqisë në SHBA, Serdar Killiç(Serdar Këllëç), aktualisht Turqia është duke hetuar rreth 160 mijë persona, ndërsa 50 mijë të tjerë janë arrestuar, ku rreth 48 mijë prej tyre janë liruar. Ndërkohë është lëshuar urdhër arresti për rreth 8 mijë persona të tjerë, tha ai.

Në një konferencë për mediat, të zhvilluar ditën e premte për të përkujtuar përvjetorin e parë të tentativës së dështuar të grushtit të shtetit, Këllëç shprehu mbështetjen e tij për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe tha se ndjekësit e z. Gylen kanë dekada në radhët e qeverisë dhe do të duhet shumë kohë për t’i spastruar nga administrate shtetërore.

Z. Këllëç fajësoi sërish z. Gylen për orkestrimin e tentativës së dështuar të grushtit të shtetit të korrikut të vitit të kaluar dhe ripërsëriti kërkesën e Turqisë për ekstradimin e tij.

Sipas tij, administrata e presidentit Trump ka treguar “më shumë vullnet” se ajo paraardhëse për kërkesën e Turqisë për ekstradimin e tij, por që procesi nuk “po ecën dhe aq shpejt” siç do të donte Turqia.

Wyn Hornbuckle, një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë, nuk pranoi të komentonte këto deklarata të premten, dhe tha se Departamenti i Drejtësisë nuk prononcohet publikisht në lidhje me kërkesat për ekstradim.

“Besoj se ka një sërë procedurash që mund të ndiqen nga SHBA-të”, tha zoti Këllëç, “të cilat përfshijnë kufizimet e aktiviteteve të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ende jep intervista për media të ndryshme. Kjo nuk është liri e shprehjes, ai akuzon qeverinë turke, dhe dërgon mesazhe për mbështetësit e tij në Turqi dhe lëviz lirshëm”.

Z. Gylen tha se lëvizja e tij po përballet me presione dhe jashtë Turqisë, pasi Ankaraja po përpiqet të bindë shumë vende të tjera që të mbyllin shkollat e lëvizjes së tij anëkënd botës. Shumë qeveri kanë refuzuar, thanë ndihmësit e tij, por të tjerat kanë kërkuar favore nga Ankaraja në këmbim të mbylljes së shkollave dhe transferimin e këtyre pronave tek qeveria turke.

Z. Gylen bëri një përshkrim të asaj që ai e quajti shovinizëm dhe racizëm në rritje në Turqi – si dhe në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – por tha se institucionet tradicionale nuk po i kushtonin shumë rëndësi dhe nuk po i adresonin këto probleme. “NATO ka potenciale për t’i adresuar këto probleme, Parlamenti Evropian gjithashtu ka potenciale”, tha ai. “Por, nëse analizojmë situatën e tanishme, nuk duket se po i adresojnë këto probleme”.

Më 15 korrik 2016, një grup kryengritësisht brenda rradhëve të ushtrisë turke dolën në rrugë, tanket hapën zjarr ndaj civilëve dhe avionët ushtarakë bombarduan parlamentin, si pjesë e planit të dështuar të grushtit të shtetit, gjatë të cilit komandot gjithashtu bënë një përpjekje të dështuar për të kapur ose vrarë presidentin turk. Më shumë se 240 vetë humbën jetën në natën e tentativës së grushtit të shtetit.

Qeveria turke pretendon se ndjekësit e z. Gylen në Turqi kanë komplotuar për vite me radhë për të marrë kontrollin e shtetin, duke depërtuar në pozicioneve të rëndësishme të ushtrisë, në sistemin gjyqësor dhe në të gjitha hallkat e shërbimit civil. Autoritetet në Ankara e krahasojnë atë me një udhëheqës kulti.

Z. Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1999, tha se ai mbështet një version modern dhe të moderuar të Islamit që mbështet demokracinë, shkencën dhe tolerancën.

Prania e tij në SHBA ishte një problem i hershëm për presidentin Donald Trump, i cili kërkoi marrëdhënie më të ngushta me Turqinë dhe ish-këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, Mike Flynn, kishte lobuar në emër të qeverisë turke.

Ndihmësit e z. Gylen theksuan se mendojnë se ekstradimi në Turqi ka shumë pak gjasa të ndodhë pas dorëheqjes së z. Flynn, i cili nuk ka zbuluar shkallën e kontakteve të tij me zyrtarët e huaj.

Në intervistën e tij, z. Gylen tha se autoritarizmin e tij Presidenti turk e ka shfaqur dukshëm dhe gjatë vizitës së tij në Uashington gjatë këtë viti, kur truprojat personale të zotit Erdogan sulmuan protestuesit jashtë ambasadës turke. Prokurorët federalë në SHBA më vonë ngritën akuza kundër të paktën 10 truprojave të tij.

“Nuk ngjajnë fare me pjesëtarë të stafit të sigurisë, por ngjajnë më shumë me vrasës të përkushtuar ndaj udhëheqësit të tyre dhe nuk e kanë fare problem që të godasin njerëzit”, tha ai.

Ambasada turke tha në atë kohë se mbështetësit e Erdogan po reagonin në vetëmbrojtje ndaj simpatizantëve terroristë.

Z. Gylen – një orator i shkëlqyer, i njohur si hoxhaefendi, ose mësues i respektuar, nga ndjekësit e tij – ka shkruar shumë libra dhe ka mbajtur shumë fjalime emocionale dhe video predikime.

Lëvizja e tij, e krijuar në një kohë kur turqit kishin frikë nga persekutimi fetar i qeverive laike, shpesh kanë qenë tejet diskretë në informacionet për anëtarët e saj, duke i dhënë zë pohimeve se ai në fakt po drejtonte një kult sekret.

Graham Fuller, ish-nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës të SHBA-ve, i cili e ka mbrojtur lëvizjen e Gylenit, duke e cilësuar atë një forcë pozitive e Islamit të moderuar në botën e sotme, tha se akuzat janë të padrejta. “Gjatë dekadës së fundit apo dhe më përpara, ajo ka patur një aktivitet shumë publik”, tha ai.

Në Turqi, gylenistët depërtuan nëpër institucionet shtetërore si në sistemin gjyqësor dhe në rradhët e ushtrisë “për të siguruar që këto institucione nuk do të përdoreshin sërish kundër tyre”, thotë Fuller, i cili në vitin 2006 i shkroi një letër FBI-së ku mbronte zotin Gylen ndaj përpjekjeve të autoriteteve turke për ta ekstraduar atë.

SHKARKO APP