Fotografitë dhe postimet në rrjetet sociale, dëshmi në procedurat gjyqësore

Fotografitë dhe postimet që do të publikohen në rrjetet sociale do të mund të shfrytëzohen si dëshmi në procedurat gjyqësore në Maqedoni. Gjithë dëshmitë që do të merren në mënyrë ligjore do të mund të nxirren para gjykatës dhe mbi ato do  të merren vendime gjyqësore.

Kërcënimet drejtuar kryeministrit Zaev, siç informojnë nga MPB nga muaji i kaluar është tashmë një tjetër vepër penale për të cilën Sektori për krim kompjuterik pranë MPB ka përgatitur edhe raport deri tek Prokuroria Publike.

MPB punon në mbi tridhjetë raste ku përmes rrjeteve sociale bartësit e funksioneve publike në Republikën e Maqedonisë ju kërcënohet jeta si dhe raste  ku janë keqpërdorur të dhënat e tyre personale.

Gjashtë prej këtyre rasteve  ka të bëjë me kanosjet drejtuar kryeministrit Zaev.

Nga MPB theksojnë se tashmë është zbuluar personi që ka kërcënuar kryeministrin Zaev dhe ka cenuar jetën e tij përmes Facebook edhe atë në koordinim me Sektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, me rrjetin social “Facebook” si dhe me Interpolin e Zvicrës dhe një internet provajder nga i njëjti shtet.

Pas dokumentimit të plot të rastit kundër të dyshuarit do të parashtrohet kallëzim penal në kompetencë të Prokurorisë Publike.

Ministria e Brendshme informon se në të njëjtën mënyrë veprojnë mbi të gjitha kërkesat e paraqitura për kërcënime për rrezikimin e sigurisë  të të gjithë qytetarëve.

Nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë për MIA-n konfirmuan se screenshotet, si dhe postet e rrjeteve sociale, mund të përdoren në procedurat gjyqësore, nëse ato janë marrë në mënyrë të ligjshme.

Publikimet monitorohen dhe analizohen dhe nëse Prokuroria Publike përcakton se ka elementë të një vepre penale do të reagojë sipas detyrës zyrtare.

Në praktikën e deritanishme në Maqedoni ka pasur raste ku fotografitë “screenshot” dhe statuset në rrjetet sociale janë përdorur si dëshmi në procedurat penale.

Kështu, vitin e kaluar, Gjykata Penale në Shkup e shpall fajtor E.A. për shkak të një fyerje ndaj presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Facebook. Gjykata dënoi EA, me shtetësi maqedonase dhe turke, me një gjobë prej 24,600 denarësh (400 euro) në procesin që u hap pas një padie penale nga ambasadori turk në vend, Tulin Erkal Kara.

Pas vendimit të Gjykatës u deklarua se në nëntor të vitit 2016, i pandehuri “botoi deklarata ironike dhe dërgoi fyerje drejtuesit të një vendi të huaj përmes profilit të tij në Facebook”. Nëse E.A. nuk paguan gjobë, ai do të duhet të vuajë dënimin me burg.

Nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë gjithashtu tregonë për rastin që zyra e prokurorit merret me publikimin e një rrjeti social në të cilin përdoret një fjalë vulgare për pjesëtarët e minoritetit rom.

Sa i përket fyerjes, PPRM thekson se kjo është e rregulluar me Ligjin për përgjegjësinë civile për ofendim dhe shpifje dhe nuk bën pjesë në krime që ndiqen penalisht.

Prandaj, Prokuroria Publike, në pajtim me rregulloret ligjore, nuk ka kompetencë të veprojë në rastet kur ka një ofendim apo shpifje.

/ALSAT/

SHKARKO APP