Gjuha shqipe/ Maqedonia e Veriut miraton projektligjin, ja ç’parashikohet
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka kaluar në mbledhjen e fundit projektligjin për themelimin e Inspektoratit për zbatimin e Gjuhëve, saktësisht gjuhës shqipe.
Me këtë ligj rregullohet mënyra e inspektimit, përzgjedhja e inspektorëve, por parashikohet edhe ulja e gjobave në rastet kur nuk zbatohet përdorimi i gjuhës shqipe.
Sipas nenit 22 parashikohen gjobat 300 deri ne 500 euro për të gjitha institucionet që nuk u mundësojnë qasje inspektorëve në materialet që duhet të inspektojnë.
Ndërsa gjoba nga 100 deri në 200 euro për drejtuesit e atyre institucioneve. Ndërkohë që për të gjitha institucionet që nuk do të respektojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve do të shqiptohen gjobat e parashikuara në ligjin e gjuhëve dhe që variojnë nga 4000 deri në 5000 euro për personat juridikë dhe 30% e kësaj shume për drejtuesin e institucionit.
Inspektoratin do të udhëheqë drejtori, i cili zgjidhet përmes një konkursi publik për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. (INA)