Gjuriç: S’ka dialog nëse Kosova nuk e tërheq vendimin për taksën

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka deklaruar se Serbia kërkon veprim të menjëhershëm dhe të vendosur nga bashkësia ndërkombëtare ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur taksën shtesë për 10 për qind në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Përgjegjësia për këtë dhunë ekonomike dhe ligjore është te komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Gjuriç në një konferencë për shtyp në qeverinë e Serbisë, raporton “Beta”.

Gjuriç ka thënë se “me këtë vendim Prishtina ka pamundësuar vazhdimin e dialogut në Bruksel derisa ta tërheqin vendimin e paligjshëm dhe të dëmshëm, i cili është i motivuar politikisht dhe në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet”.

“Luftërat tregtare, të cilat po i nis Prishtina banojnë vetëm në kokat e sëmura, të cilët mendojnë se mund të bëjnë diçka dhe dëmtojnë popullin serb dhe shqiptar. Askush nuk mund ta ndalojë asnjë qarkullimit të mallrave, as rrjedhjen e kapitalit”, ka thënë Gjuriç, duke shtuar se duhet ndaluar dhuna ligjore dhe ekonomike dhe se është e nevojshme që Kosova ta tërheq vendimin.

Gjuriç ka thënë se Serbia do të mbrojë interesat e serbëve, duke thënë se lufta tregtare midis Kosovës dhe Serbisë është konflikt i drejtpërdrejt me normalitetin.

Ai ka thënë se gjatë ditës së gjithë për tërë këtë ka diskutuar me presidentin dhe kryeministren e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Ana Brnabiç, si dhe me ministrin e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Ljajiç.

Sipas Gjuriç, vendimi i qeverisë së Kosovës “është një tregues i nervozizmit të madh të dikujt në Prishtinë, për shkak se po iu shkrihet projekti shtetëror”.

“Qeveria serbe po merr të gjitha masat në CEFTA dhe Komisioni Evropian, për t’i informuar në lidhje me veprimin e Prishtinës”, ka thënë ai, duke shtuar se për këtë hap të Qeverisë së Kosovës nuk ishin të informuar përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.

SHKARKO APP