Gjyqi në Hagë, Thaçit dhe Veselit i vijon masa e paraburgimit

Dhomat e Specializuara të Kosovës bëjnë të ditur se trupi gjykues ka vendosur që të vazhdojë masën e paraburgimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit. Në konferencën e sotme për media u tha se trupi gjykues ka konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku që Thaçi dhe Veseli të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor.

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten, ka thënë se ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të u vazhdohet masa e paraburgimit, pasi që trupi gjykues ka konstatuar se ekziston rreziku që ndërprerja e masës së paraburgimit ndaj tyre mund të pengojnë ecurinë e procesit.

Ndërsa, lidhur me ecurinë e çështjes gjatë kësaj jave ai tha se ka përfunduar dëshmia e dy dëshmitarëve të parë, ndërkaq dëshmia e dëshmitarit të tretë po vazhdon në seancë të mbyllur.

Seanca vijuese në këtë çështje gjyqësore është caktuar të fillojë të hënën, më 1 maj, në orën 9:30. Seancat e gjykimit në këtë çështje do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, nga 1 deri më 5 maj.

SHKARKO APP