Grekët deklarojnë paratë “e fshehura” që të shpëtojnë nga gjobat e rënda

Më shumë se 1,500 qytetarë grekë kanë deklaruar vullnetarisht paratë e tyre të fshehura, në zbatim të një dispozite favorizuese që i shpëton nga penalizimi i mëtejshëm. Sipas Ministrisë greke të Financave, ata janë kryesisht mjekë, avokatë, rentierë, biznesmenë të vegjël dhe arsimtarë të shkollave të mesme.

Ata janë vetëm një pjesë e vogël e mëse 40,000 qytetarëve, emrat e të cilëve përfshihen në tri lista që ndodhen prej vitesh në dispozicion të autoriteteve vendase. Megjithatë, nga këto deklarime kanë rezultuar 4,5 miliardë euro dhe arka e shtetit ka inkasuar rreth 500 milionë nga taksimi i këtyre të ardhurave të fshehura.

Në përpjekje për të luftuar evazionin fiskal, qeveria greke nxori mori një vendim që u mundësonte qytetarëve legalizimin e parave të padeklaruara gjatë viteve financiare. Ata që deklarojnë, paguajnë gjithë tatimet e shmangura në vite si dhe një taksë shtesë prej 12% të shumës.

Në rast se paratë e padeklaruara zbulohen nga shteti, atëherë zotëruesi i tyre duhet të paguajë gjoba që arrijnë deri në 120% të shumës e prandaj kjo masë konsiderohet si favorizuese.

Qeveria greke ka dhënë afat deri në fund të shtatorit për këtë procedurë, ndaj Ministria e Financave vlerëson se në ditët e ardhshme do të shpeshtohet numri i “vullnetarëve” që do të paraqiten në zyrat tatimore për të deklaruar paratë e fshehura deri më sot.

Por pavarësisht ashpërsimit të kuadrit ligjor dhe faktit se Greqia ndodhet prej shtatë vjetësh në një krizë të thellë ekonomike dhe financiare, evazioni fiskal në vend vijon të mbetet mjaft i lartë. Vlerësohet se taksat e papaguara arrijnë në 30 miliardë euro në vit, një shifër marramendëse që po të shumëzohet me 11 vitet e fundit, thuajse barazohet me shumën e borxhit publik të Greqisë.

SHKARKO APP