Greqi, arrin në 83 numri i viktimave nga zjarret
Tri ditë pas zjarreve të mëdha që rrafshuan mijëra shtëpi e toka në periferi të Athinës, duke lënë pas dhe pasoja fatale njerëzore, ekipet vijojnë kërkimet në terren. Çdo orë që kalon zbeh shpresat për të mbijetuar, teksa mediat lokale vazhdojnë të transmetojnë apelet nga familjarë të shumtë që kërkojnë njerëzit e tyre të humbur.
Paralelisht me kërkimët në terren, autoritetet po vijojnë identifikimin e viktimave, proces që sipas tyre është shumë i vështirë, për shkak se pjesa më e madhe janë krejtësisht të karbonizuar. Nga ana tjetër, qeveria ka miratuar një paketë ndihme financiare për të të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi, duke ofruar subvencion 5 mijë euro për familje apo person të dëmtuar, 6 mijë euro për familje me 3 dhe më shumë fëmijë si dhe 8 mijë euro për bizneset.
Paketa përfshin dhe një sërë masash lehtësuese sociale dhe ekonomike, për tuy dhënë mudnësinë të mbijetuarve dhe familjeve që kanë pësuar vetëm dëme materiale të rimëkëmben së bashku me të gjithë zonën. Por ashtu sikundër pritej, qeveria tashmë po përballet edhe me akuza të rënda, jo vetëm nga drejtësia dhe opozita, por edhe nga vetë të mbijetuarit: Ata akuzojnë autoritetet se nuk morën masat në kohën e duhur.
“Na latë në mëshirë të fatit, u dogjëm si minj. Na u dogj gjithcka. Na thanë hidhuni në det, po si të hidheshin të moshuarit në det për të shpëtuar”, flasin ata.
Zyrtarisht ka nisur hetimi ndaj autoriteteve për neglizhencë dhe mungesë plani, teksa hidhen dyshime se zjarret nuk kanë qenë aksidentale. Aktualisht numri i viktimave është 83, por autoritetet i frikësohen rritjes së bilancit. 187 persona, mes të cilëve 6 shqiptarë janë plagosur. Ndërkohë që ambasada shqiptare në Greqi konfirmon se shumë familje shqiptare kanë humbur shtëpitë dhe makinat e tyre.
Mediat greke raportojnë se mbi 20 persona që kanë humbur veten nga zjarret janë turistë italianë, danez, belg dhe polak.
Skuadrat e shpëtimit po shkojnë derë më derë në kërkim të trupave dhe nuk është çudi që bilanci i viktimave të rritet akoma më shumë, pasi një numër i madh personash konsiderohen ende të zhdukur.
Ministri i Mbrojtjes Panos Kammenos, së bashku me kryebashkiakun Rafina-Pikermi Evangelos Bournous dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Ajrore vizituan sot zonat e prekura nga zjarret vdekjeprurëse në Atikën Lindore.
Në një takim të mbajtur më parë gjatë ditës, Bournous njoftoi se 25% e shtëpive në zonë, rreth 1500 në total janë shkatërruar terësisht, 50 për qind janë dëmtuar pjesërisht dhe 25 për qind janë të paprekura.