Greqi, gjendet e vrarë avokatja, kishte lidhje intime me një nga bosët e krimit
Një avokate 33 vjeçare është gjetur e vrarë në garazhin e nëndheshëm të vilës së vet në lagjen e shtrenjtë Kifisia të Athinës.
Sipas policisë, vrasja është kryer të martën, por viktima u gjet mbrëmjen e të mërkurës.
Ajo ishte qëlluar disa herë me kallashnikov, por edhe me pistoletë të kalibrit 9 mm. Në vendngjarje u gjetën 16 gëzhoja.
Burime të policisë citohen nga mediat të kenë thënë se viktima kishte lidhje intime me një nga bosët e krimit.
Avokatja ishte e skeduar nga policia, teksa vite më parë ishte akuzuar ndër të tjera për grabitje, çështje që lidhen me trafikun e drogës, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Gruaja e pafat kishte rënë sërish preh e një atentati në vitin 2011 dhe që atëherë ishte larguar jashtë Greqisë.
Policia thotë se ajo sapo ishte kthyer dhe duket se ekzekutorët u vinë menjëherë në ndjekje të saj.
Kjo është vrasja e tretë mafioze brenda pak ditësh. Më herët një farmacist u vra para shtëpisë së vet, ndërsa një person i skeduar u gjet i vrarë brenda një makine.
Policia po shqyrton nëse të tri vrasjet kanë lidhje ndërmjet tyre.