Greqi, ndryshime në kabinetin e Tsipras
Kryeministri grek, Alexis Tsipras pritet të ndryshojë kabinetin qeveritar të shtunën, me synimin për të përshpejtuar konkluzionet e rishikimit kyç mbi programin e ndihmave të shpëtimit, si dhe për të rritur popullaritetin e qeverisë së tij.
Lajmi është bërë i ditur nga burime qeveritare për agjencinë e lajmeve “Reuters”, këtë të premte.
Ministri i Financave, Euclid Tsakalotos, kryenegociatori mes Athinës dhe huadhënësve ndërkombëtarë të Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pritet ta ruajë postin e tij.
“Riformatimi pritet të shpallet që sot, por ceremonia e betimit do të zhvillohet ditën e nesërme”, tha zyrtari grek në kushtet e anonimitetit.
Greqia kërkon të përfundojë me sukses rishikimin ndaj reformës së punës dhe çështjeve fiskale, për t’u kualifikuar kështu për më shumë lehtësime borxhi dhe për t’u përfshirë në programin e blerjes së bonove nga Banka Qendrore Europiane. Kjo do ta ndihmonte vendin të risiguronte aksesin në tregjet e bonove brenda vitit 2018, atëherë kur skadon edhe programi aktual i shpëtimit.
Tsipras mund të zëvendësojë ministrin e Energjisë, Panos Skourletis, si dhe ministrin e Transportit Detar, Thodoris Dritsas, të cilët kanë kundërshtuar haptazi privatizimin, një sinjal që Athina kërkon të qetësojë kreditorët e saj, të cilët e kanë akuzuar për zvarritje në shitjen e aseteve shtetërore, një prej pikave kyçe të ndihmës së tretë të shpëtimit.
Ministrat e Brendshëm dhe të Punës priten gjithashtu të zëvendësohen, tha një zyrtar tjetër.
Tsipras është zgjedhur kryeministër për herë të parë në janar të vitit 2015, duke premtuar t’i jepte fund masave shtrënguese, por e përmbysi kursin e tji 6 muaj më vonë kur nënshkroi për ndihmën e re të shpëtimit, programin e tretë për Greqinë që kur nisi kriza financiare në vitin 2010. Ai u rizgjodh në shtator të vitit të kaluar, por popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm me kalimin e muajve, ndërsa partia e tij “Syriza” duket se radhitet pas “Demokracisë së Re” në sondazhet e fundit. TCH