Greqi, parlamenti gati për debatin e votëbesimit

Parlamenti grek do të hapë nesër debatin për një votëbesim të qeverisë pas largimit dje të një aleati të koalicionit. Largimi i ministrit të Mbrojtjes e lë zotin Tsipras pa një shumicë parlamentare dhe rrit mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Votëbesimi i qeverisë pritet të mërkurën mbrëma. Kryeministri grek Alexis Tsipras e kërkoi votë besimin pas dorëheqjes së partnerit të koalicionit Panos Kammenos dhe grekëve të tij të pavarur, lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë.

Vitin e kaluar dy vendet ranë dakord për një të ri – Maqedonia Veriore.

Marrëveshja është e nevojshme që Maqedonia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por ajo duhet të ratifikohet nga parlamenti grek.

Partia Syriza e zotit Tsipras ka 145 vende në parlamentin grek prej 300-vendesh si dhe mbështetjen e një deputeti të pavarur. Kryeministri ka nevojë për mbështetjen e të paktën pesë të tjerëve, për të fituar votën e besimit të mërkurën.

Të hënën, ministrja e turizmit Elena Kountoura dhe një tjetër ligjvënës nga partia e Grekëve të Pavarur thanë se do të mbështesin Kryeministrin Tsipras gjatë votëbesimit të mërkurën. Zoti Kammenos i përjashtoi të dy ata nga grupi i tij parlamentar.

Edhe nëse zoti Tsipras e fiton votëbesimin, pasiguria politike do të rritet pasi qeverisë do t’i duhet të mbështetet te ligjvënësit jashtë partisë së tij të majtë Syriza për të kaluar nismat e tij legjislative.

Zoti Tsipras shpreson ta sjellë marrëveshjen për emrin e Maqedonisë në parlament pas votëbesimit, nëse e fiton atë.

Mandati i tij i tanishëm përfundon në tetor.

SHKARKO APP