Greqi, parlamenti vendos nisjen e hetimit për 10 politikanë, mes tyre edhe Avramopulos

Parlamenti grek ka votuar për nisjen e hetimeve kundër dhjetë politikanëve që dyshohet se gjatë kohës që ishin në detyrë, kanë marrë rryshfete për të promovuar medikamentet e kolosit farmaceutik zvicerian Novartis.

Mes tyre janë disa prej figurave qendrore të politikës greke, si ish kryeministri Antonis Samaras, komisioneri i BE-së për çështjet e brendshme dhe emigracionin, Dimitris Avramopulos, ish kryetari i PASOK-ut Evangelos Venizelos, guvernatori i Bankës së Greqisë Janis Sturnaras.

Pas një debati mjaft të ashpër parlamentar, që zgjati plot 21 orë, votimi i fshehtë përfundoi pak para orës 6 të mëngjesit të së enjtes.

Propozimi i maxhorancës për krjimin e një komisioni hetimor mori shumicën absolute të votave nga deputetët e pranishëm.

Komisioni duhet ta përfundojë punën e vet brenda një afati njëmujor.

Kolosi zvicerian Novartis, dyshohet se në periudhën 2006-2015 ka korruptuar zyrtarët dhe disa qindra mjekë, me qëllim që të përfitonte një pozitë komanduese në tregun grek, si dhe për të siguruar çmime të fryra për produktet e veta, edhe pse në treg kishte alternativa më të lira.

Nga hetimet e deritanishme –ku është përfshirë edhe FBI amerikane- ka rezultuar se taksapaguesit grekë kanë humbur deri në 3 miliardë euro nga çmimet e fryra të medikamenteve të Novartis.

Kryeministri Tsipras deklaroi vendosmërinë e tij për të shfrytëzuar “çdo mundësi që ofron e drejta kombëtare dhe ndërkombëtare”, për të marrë pas miliardat e humbura si rezultat i skemës së ndërtuar nga Novartis. Ai shtoi se bëhet fjalë për shuma që influencuan direkt financat e vendit.

Por shefi i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, tha se gjithçka ishte një shpifje me qëllim që të goditen kundërshtarët politikë të qeverisë.

SHKARKO APP