Greqi, përkujtohet 10-vjetori i vdekjes së 16-vjeçarit
Greqia përkujton sot 10-vjetorin e vdekjes së Alexis Grigoropoulos, 16-vjeçarit që u vra prej dy agjentëve të policisë në lagjen ”Eksarqia” të kryeqytetit grek, Athinë, më 6 dhjetor 2008.
Vdekja e të riut provokoi një valë dhune në vend, madje u vlerësua edhe si fillesa e rezistencës rinore kundër qeverisë së Karamanlis, rënia e të cilit pasoi në muajt në vazhdim. Alexis Grigoropoulos u kthye në simbolin e anarkistëve kundër shtetit. Në kujtim të tij, disa grupime ekstremiste kryen madje edhe akte terroriste në Greqi.
Miku i ngushtë i tij, Nikos Romanos, i cili e pa të vdiste nga plumbat e policisë, pak vite më vonë do të dënohej si anëtar themelues i një prej organizatave terroriste në vend.
Tashmë, data 6 dhjetor është kthyer në datë protestash në Greqi. Për të parandaluar aktet e dhunës, më shumë se 2.500 policë do të sigurojnë që të mos ketë akte dhune. Policia por edhe familjarët e Grigoropoulos kanë bërë apel që të protestohet paqësisht dhe pa dhunë. Gjithsesi, policia ka vendosur që të përgjigjet me forcë ndaj çdo tendence dhune. Për ruajtjen e sigurisë janë vënë në dispozicion të gjitha forcat e policisë, madje edhe “drone”.