Greqi, përleshje në kampin e refugjatëve, 10 të plagosur
Në Greqi janë shënuar gjatë natës përleshje në kampin e refugjatëve Moria, në ishullin Lesvos.
Përleshjet, gjatë të cilave u plagosën dhjetra refugjatë, filluan vonë mbrëmjen e të martës dhe përfunduan në orët e para të mëmgjesit të së mërkurës.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, ANA-MPA, shkaku i përleshjeve lidhej me përdorimin e mjediseve higjienike të kampit. Agjencia shton se përleshjet janë rezulat i divergjencave etnike midis refugjatëve nga vendet arabe, nga njera anë; dhe nga ana tjetër, atyre nga Iraku e Afganistani që konsiderojnë se refugjatët arabë kanë trajtim më të privilegjuar nga shërbimet e azilit.
Incidentet morën fund në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, pas ndërhyrjes së forcave të shumta policore që përdorën shashka zhurmuese dhe gaz lotsjellës. Dhjetra refugjatë u shoqëruan në komisariatin e policisë së ishullit dhe për dy prej tyre u vendos masa e paraburgimit.
Rreth 15 refugjatë, dy prej të cilëve të plagosur me thika, u dërguan në spitalin e Mitilinit. Një numri të madh refugjatësh iu dha ndihma mjekësore në mjediset e kampit.
Sipas administratës së kampit është dëmtuar për shkak të zjarreve një numër i konsiderueshëm çadrash, por edhe ambiente të tjera ndihmëse.
Trazirat në kampin e Morias janë shndërruar në një fenomen të zakonshëm. Ato shkaktohen sidomos nga vonesat jashtëzakonisht të mëdha në trajtimin e kërkesave të refugjatëve për azil.