Greqi, “shpërbehen” emergjencat
E ndërsa numri i viktimave të verifikuara si pasojë e zjarrit apokaliptik që përfshiu Athinën Lindore, ka shkuar në 91, kryeministri grek Aleksis Cipras ka marrë më në fund “përgjegjësinë e vonuar”.
Pas miratimit për largimin e Ministrit të Mbrojtjes së Qytetarëve, Nikos Toskas, Cipras ka emëruar shefa të rinj në shërbimet kryesore të emergjencave.
Ne një deklaratë nga zyra e kryeministrit nënvizohet se shefat e forcës së policisë dhe brigadës së zjarrit janë zëvendësuar.
Qeveria është kritikuar shumë në lidhje me reagimin e saj ndaj zjarreve masive në Atika.
Sipas mediave greke, Cipras ka marrë vendimin për rishikimin e kabinetit të tij, si një përpjekje për të qetësuar pakënaqësinë e publikut. Edhe emri i ministrit të Mbrojtjes Panos Kamenos dhe ai i Financave, janë në listën për rishikim. Ndërkohë, nga Ministria greke e Shëndetësisë njoftojnë se 36 persona po marrin trajtim për djegie si pasojë e zjarreve në spitalet në Atikë. Gjashtë prej tyre janë në kujdes intensive, pas zjarrit më vdekjeprurës në një dekadë në Greqi.