Greqi, Tsipras ndryshime në qeveri

Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka bërë një riformatim të qeverisë së tij disa muaj para zgjedhjeve lokale dhe atyre për Parlamentin Europian.

Në postin e ministrit të Jashtëm, nga i cili ishte larguar Nikos Kotzias dhe e mbante vetë kreu i kabinetit përkohësisht gjatë kësaj periudhe, është vendosur ministri Plotësues, Jorgos Katrougkalos. Në vend të tij, pra Minister Plotësues i Jashtëm për Çështjet Europiane është emëruar Sia Anagnostopoulou.

Është ndryshuar gjithashtu edhe zv/ministrja e Maqedonisë dhe Trakës, Katerina Notopoulou, e cila do të garojë për postin e kryetarit të Bashkisë së Selanikut dhe në vend të saj është emëruar Eleftheria Xatzigeorgiou.

Me të njëjtën arsye, pasi do të garojë për kryebashkiakun e Athinës, është zëvendësuar edhe zv/ministri i Çështjeve Sociale, Nasos Iliopoylos nga Konstantinos Barkas.

Riformatimi përmban edhe dy ndryshime të tjera ministrash që interpretohen si një hapje që kryen Aleksis Tsipras ndaj gjithë spektrit të majtë.

Kështu, dy ish-anëtarë të njohur të socialistëve të PASOK-ut para disa vitesh, Thanos Moraitis dhe Angelos Tolkas marrin përkatësisht portofolet e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës si dhe të Politikave Migratore.

Riformatimi vjen në një moment kritik kur situata politike ka filluar të polarizohet dhe sondazhet që japin një avantazh për konservatorët, kanë filluar të tregojnë se kjo diferencë po ngushtohet. Normalisht, zgjedhjet parlamentare do të kryhen në muajin tetor, por nuk përjashtohet të zhvillohen edhe më herët.

SHKARKO APP