Greqia, Maqedonisë: Jeni në krizë, ç’ju duhet emri?
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias, përpara takimit të sotëm me shefin e diplomacisë maqedonase, Nikolla Poposki ka thënë se çështja e emrin nuk është temë e bisedimeve për momentin për shkak të krizës së brendshme aktuale në Maqedoni.
Të dy ministrat janë takuar në vigjilje të takimit rajonal për krizën e refugjatëve, i cili dje dhe sot është mbajtur në Selanik.
“Në këtë periudhë nuk do të bisedojmë për këtë çështje. Shteti fqinj është në krizë të thellë të brendshme, e cila duhet të merret parasysh dhe të ketë perspektivë për atë se sa është e mundshme që çështjet më serioze të zgjidhen”, ka deklaruar Koxias.
Në këtë takim, u bisedua edhe për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale midis Maqedonisë dhe Greqisë si edhe për forcimin e bashkëpunimit në ballafaqimin me sfidat e përbashkëta siç është kriza e emigrantëve, dhe po ashtu edhe për takimin e ardhshëm për masat për ndërtimin e besimit, i cili duhet të mbahet në fillim të javës së ardhshme në Shkup.