Greqia në zgjedhje të parakohshme?

Greqia duket se po i drejtohet me shpejtësi zgjedhjeve të parakoshme. Analistët shprehen se situata në Eurozonë, por dhe debatet e brendshme në këtë shtet, po krijojnë të gjitha premisat për votime të reja. Miratimi i marrëveshjes së Prespës, refuzimi i iniciativës për të mos paguar klerikët ortodoksë apo qytetarët me të ardhura të ulëta, do të jenë vendimtare në muajt e ardhshëm për një tjetër krizë që duket se po i troket Greqisë.

Pështjellimet politike në Greqi, por edhe faktorë të jashtëm në Eurozonë po i japin shtysë më të madhe idesë se kryeministri grek, Alexis Tsipras, mund të vendosë zhvillimin e zgjedhje të parakohshme në muajin mars.

Kreu i qeverisë e ka bërë të qartë në të kaluarën se ai do të donte që kabineti i tij të qëndronte në detyrë deri në fund të mandatit, ose deri në vjeshtën e vitit tjetër.

Por burimet pranë tij thonë se janë të shqetësuar nga pasojat e mundshme që do të ketë marrëdhënia e tensionuar e Italisë me Bashkimin Europian për sa i përket buxhetit, dhe disa zhvillime në vend në muajt e ardhshëm.

Kjo situatë e ka bërë më të vështirë daljen e Greqisë në tregjet ndërkombëtre dhe për rrjedhim ka rritur interesat e bonove qeveritare, duke rënduar financat e vendit, kjo edhe pse FMN deklaroi përfundimin e krizës financiare të këtij shteti.

Tsipras mund të detyrohet të marrë borxh nga mekanizmi financiar i krijuar nga kreditorët e huaj, çka do të hidhte poshtë narrativën e tij se vendi ka dalë nga nevoja për mbikëqyrje ndërkombëtare dhe mund të qeverisë në mënyrë të pavarur.

Greqia do të përballet me një sërë zhvillimesh në fillimin e 2019-ës.

Marrëveshja historike me kryepeshkopin Jeronimos, sipas të cilës klerikët në vend nuk do të jenë më nëpunës të shtetit, ka shumë mundësi të mos nënshkruhet.

Edhe akordi i Prespës për emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë me gjasë do të miratohet në janar.

Në këto rrethana, Tsipras do të humbiste aleatin e tij, Panos Kamenos, i cili e kundërshton marrëveshjen, dhe do e çonte vendin në zgjedhje të parakohshme për shkak të pozitës shumë të dobët qeverisëse.

Ideja duket se përkrahet edhe nga qytetarët, pasi një sondazh javën e kaluar zbuloi se 6 në 10 persona në Greqi janë në favor të zgjedhjeve të parakohshme dhe e kanë humbur besimin te qeveria.

 

/Ora News

 

SHKARKO APP