Gruevski-Ahmeti fillojnë negociatat për qeverinë e re në Maqedoni

Bisedimet mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e Qeverisë kanë nisur sot. Megjithatë partitë nuk ndajnë informacione për takimin i cili mbahet larg syve të opinionit. Po ashtu nuk bëhet e ditur nëse bisedimet zhvillohen mes liderëve apo përfaqësuesve të tjerë partiak.

Sipas praktikës, negociatat e këtij niveli janë zhvilluar mes vetë liderëve. Përderisa Gruevski ka marrë autorizimin e komitetit ekzekutiv të partisë së tij për të kryesuar vetë negociatat, nga partia e Ahmetit akoma nuk bëjnë të ditur nëse një vendim i tillë është marrë edhe nga BDI.

Ndërkohë ajo që është thënë disa herë nga partitë është se BDI-ja kërkon përdorim të barabartë të gjuhës shqipe në të gjithë territorin, zgjatje të mandatit të Prokurorisë Speciale dhe vazhdimin e procesit të euro-integrimeve.

VMRO-DPMNE nuk pranon ndryshim të Kushtetutës sa i takon statusit të shqipes dhe as zgjatje të mandatit të Speciales, e cila sipas tyre ka anshmëri politike. Të dy partitë, VMRO-DPMNE dhe BDI kanë bërë me dije se negociatat mund të mos sjellin rezultate pozitive. VMRO-DPMNE ka njoftuar se nuk do të formojnë Qeveri me çdo kusht, kurse nga BDI-ja thonë se vazhdon të mbetet i hapur edhe opsioni për qëndrimin e kësaj partie në opozitë.

Të dy palët, nuk kanë mohuar as opsionin e zgjedhjeve të reja, në rast të dështimit të gjetjes së një zgjidhje./Alsat/

SHKARKO APP