Gruevski apo Zaevi – dy fytyrat e një medaljeje

Koalicioni i partive shqiptare në Maqedoni gjendet nën një presion të paparë. Jo nga bazat e tyre. Por nga dy kategoritë më të korruptuara të vendit: mediat me pseudoanalistët e tyre dhe pedagogët që hapin gojën vetëm atëherë kur dikush ua tregon valutën, apo ndonjë diplomë

Gruevski u shkoq duke dhënë deklarata. Në mënyrën më transparente të mundshme. Kjo shihet. Ai nuk lëviz nga qëndrimet e tij, tashmë të njohura: s’ka dygjuhësi në gjithë vendin dhe natyrisht kundër gjykatave speciale ngase duhet të pranojë arrestimin e më të afërmeve, atyre që ia sigurojnë votat.

Zoran Zaevi konform natyrës së tij prej urithi lëshon këshilltarët e tij t’i quajnë shqiptarët fis, vetë zgërdhihet pas perdeve. Sjellje që transmeton qëndrimin: me ju tribalët mund të sillem si të dua, madje duke ua marrë edhe votat, pasi s’merrni vesh as nga politika e as nga dija.

Të dyja palët nuk janë në gjendje t’u përgjigjen kërkesave shqiptare. Nuk duan. Shpresojnë në truqe tjera.

Nga ana tjetër koalicioni paszgjedhor shqiptar është vënë nën një presion të ashpër që BDI dhe tjerët të shkojnë tek LSDM. Pse-ja bëhet edhe më e çuditshme kur kihet parasysh se Zaev nuk sillet më mirë se Gruevski, përkundrazi në partinë e tij u ka premtuar poste ministrore pikërisht atyre shqiptarëve që as vetë nuk praktikojnë dygjuhësinë, por vetëm ciriliken dhe maqedonishten në komunikimin e tyre me masën. Si gjithmonë.

Kush aktualisht e bën presionin ndaj BDI dhe tjerëve?

PEDAGOGËT DHE PENSIONERËT

Një grup i vetëquajtur intelektual para do ditësh bëri një peticion nëpërmjet të cilit kërkon (me cilat kushte?) që spektri shqiptar të shkojë me Zavein. Janë po të njëjtët që gjatë zgjedhjeve të kaluara kërkonin respektimin e parimit partia e pare e shumicës 1 të hyjë kushtimisht në koalicion me partinë e parë të shumicës 2? Pse kjo rokadë mentale? Para së gjithash cili është legjitimiteti i tyre për të vënë partitë nën presion?

Në fakt janë emra të cilët nuk kanë as kapitalin minimal të kërkojnë diçka. Të atillë që kurrë nuk e shkruan një letër, një reagim apo qëndrim kur ndodhi Kumanova, gjatë përdhosjes së shkollave shqipe nga lloj lloj agjenturash; gjatë pushtimit të tempujve fetarë nga grupet radikale; nuk e çuan zërin kurrë për diçka që kishte të bëjë me të drejtat themelore të njerëzve atje. Gjallohen vetëm kur është në pyetje ndarja e pushtetit.

Përkundrazi të njëjti botonin libra me financat e të njëjtëve, grupeve radikale dhe partive të korruptuara; u shërbenin politikanëve të njohur për nga zhytja në kriminalitet e të llojit. Janë një grup pedagogësh që referencë shkencore janë vetëm gjatë ligjëratës para studentëve të tyre dhe askund tjetër. Njerëz që janë bërë profesorë me doktorata të blera në ndonjë kiosk kufitar të Kukësit apo për shkak të lidhjeve me politikën. Ndër ta gjendet edhe ndonjë emër si Ali Aliu, njëri prej figurave më të dëmshme brenda politikës së Kosovës para luftës dhe poaq i dëmshëm pas luftës për Akademinë e Shkencave atje.

Kemi të bëjmë pra me një grup servilësh të dëshmuar në çdo drejtim, të atillë që bëhen tok kush ua jep honorarin i pari, e sa për çështjen e të drejtave shqiptare kurrë nuk kanë çarë kokën.

E kundërta është bilanci i jetës së tyre: dëmi, bllokimi dhe pervertimi në favor të përfitimeve personale. Të atillë që madje edhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore e kanë shndërruar në filiale të haxhiqamilëve. Me lejen e Mijallkovit natyrisht.

MEDIAT

Grupi i dytë që e bën presionin janë mediat. Se sa, shumicën e tyre mund ta quajmë vërtet media, mjafton t’i kalojmë disa sekonda nëpër to: katastrofa e përkthyer në shkronja dhe fotografi. Ky segment është ndoshta më i korruptuari, më problematiku atje. E para se nuk ka profesionalitet dhe e dyta se jeton nga grantet e shtetit, sorosit, organizatave turke, janë dyqane që shesin shkronja helmi për një grusht euro. Shumica prej tyre edhe janë krijuar me shpresën se do fitojnë reklama nga shteti dhe për asgjë tjetër. Këtë e dinë jo vetëm bërësit e tyre. Ato që kanë marrë frekuenca nacionale me paret e turqve menaxherin mundësues e kanë pasur po Mijallkovin e rastit «Kumanova». Edhe ato që së paku dizajnin e kanë pak më serioz gjatë viteve të fundit kanë shkëlqyer me prostituimin herë për njërin e herë për tjetrin e gjithmonë me frikën në mos e lëshojnë ndonjë fjali që do t’i nervozonte financuesit e tyre.

Ky segment i shoqërisë, rregullimi i ligjeve për media dhe shtypin e lirë, madje duhej të ishte njëra nga kushtet që duhet ta kërkonin shqiptarët atje, ngase shumica e dytë nuk e ka as të drejtën themelore në informim objektiv. E gjitha që u imponohet janë prodhime mediash dhe analistësh të pakurriztë, pa dije dhe dinjitet që i dezinformojnë herë për njërin tabor e herë për tjetrin. Shumica e analistëve funksionojnë si ghostwriter të bashkësive fetare, politikanëve të caktuar, përkthyes shërbimesh e çkahmos dhe gjithandej ku jepen pare. Ky është realiteti.

Pas politikaneve të korruptuar janë këto dy kategoritë më të kriminalizuarat brenda shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Dhe kur këto e bëjnë presionin të shkohet me LSDM -në apo me VMRO-në, alarmi duhet të jetë shumë më i madh se zakonisht.

PASHTEGËSIA

Kah të shkojë tash koalicioni BDI- koalicioni Besa-ASH? Nëse nuk bien dakord me asnjërën parti dhe krijojnë sistem të përkohshëm paralel do të kyçet në terren sërish Bashkësia Ndërkombëtare. Do të bëhet edhe një marrëveshje që do ta zëvendësojë atë të «Marrëveshjes së Ohrit». Mirë kjo apo jo, këtë e dinë politikbërësit që duhet t’i krahasojnë rezultatet që i sjell e para dhe ato që mund t’i sillnin kontrata të reja në kushtet mbizotëruese aktuale. Në këtë e sipër me siguri do të kujdesen që forcat refraktare që ia kanë amputuar vetes mos të ushqehen edhe nga një krizë e re për të realizuar si duhet synimet e tyre antiperëndimore dhe antishqiptare, kështu duke defaktorizuar totalisht spektrin shqiptar në fis tribal siç mezi presin Gruevski dhe Zaevi.

Koalicionit shqiptar i duhet më shumë se kurrë zgjuarsi për të analizuar situatën sa më mirë para se të vendos t’i besojë njërit apo tjetrit bllok të shumicës së parë. Bëhet fjalë për të drejtat dhe ekzistencën e shqiptarëve në atë shtet. Atë që s’duhet ky koalicion ta përfill fare është presioni nga dy kategoritë e korruptuara që i përmendëm më lartë. Thjeshtë ngase vetëm dëm mund të bëjnë po iu nënshtruan atyre.

Ndërmjet radikalit transparent dhe kozmopolitit jotransparent zgjedhja është e rëndë, prandaj e vetmja garanci mbetet platforma: kush më së tepërmi i afrohet asaj me të mund të bisedohet, kush jo prodhon krizën dhe atë jo vetëm të shqiptarëve aty.

SHKARKO APP