Gruevski më 8 nëntor duhet të shkojë në burg

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski mori akt-vendimin për vuajtjen e dënimit me burg prej 2 vjetësh për rastin “Tanku”.

Gruevski sot shfrytëzoi daljen e pasme të gjykatës me qëllim për të shmangur gazetarët. Ndërkaq të mërkurën, avokatët e ish-kryeministrit kërkuan rishqyrtim të jashtëzakonshëm të gjykimit për rastin Tank-u dhe shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg. Edhe Gruevski dy ditë më parë tha se do t’i përdorë të gjitha mundësitë ligjore për ta shtyrë vuajtjen e dënimit.

“Do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë ligjore që janë në dispozicion dhe që të mi këshillojnë avokatët. Edhe pse jam i vetëdijshëm që jetojmë në një kohë anormale, ku normalja është jonormale ndërsa jonormalja është bërë normale”,kishte thënë më herët Nikolla Gruevski.

Gruevski në afat prej tre ditëve ka të drejtë të ankimojë vuajtjen e dënimit me burg. Nëse gjykata e refuzon kërkesën e tij, ish kryeministri ka të drejtë ankese deri në Këshillin penal. Nëse tre gjykatësit e Këshillit e refuzojnë kërkesën, Gruevski patjetër duhet të paraqitet në burg.

Për ta shtyrë fillimin e vuajtjes së dënimit, ish kryeministri duhet të tregojë arsye të forta. Nikolla Gruevski është i dënuar me 2 vjet burg për “marrje të shpërblimit dhe ndikimit kundër- ligjor” gjatë furnizimit të Mercedesit të blinduar luksoz prej mbi gjysmë milionë euro.

Përveç Gruevskit, me vendim të plotfuqishëm me katër vite e gjysmë është dënuar edhe ish ndihmës-ministri në Ministrinë e brendshme, Gjoko Popovski për abuzim të pozitës zyrtare. Ndërsa ish ministrja e brendshme, Gordana Jankulloska u dënua me gjashtë vite burg.

SHKARKO APP