Gruevski më 8 nëntor duhet të shkojë në burgun që ndërtoi vet
Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski mori akt-vendimin se me 8 nëntor duhet të paraqitet në burgun e Shutkës, për vuajtjen e dënimit me burg prej 2 vjetësh për rastin “Tanku”.
Burgu i Shutkës është ndërtuar gjatë qeverisjes së tij dhe vet Gruevski që marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit duke vlerësuar standardet e larta për sigurinë dhe kushtet ku do trajtoheshin të burgosurit.
Të mërkurën avokatët e ish-kryeministrit kërkuan rishqyrtim të jashtëzakonshëm të gjykimit për rastin Tank-u dhe shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg. Edhe Gruevski dy ditë më parë tha se do t’i përdorë të gjitha mundësitë ligjore për ta shtyrë vuajtjen e dënimit.
“Do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë ligjore që janë në dispozicion dhe që të mi këshillojnë avokatët. Edhe pse jam i vetëdijshëm që jetojmë në një kohë anormale, ku normalja është jonormale ndërsa jonormalja është bërë normale”,- ka deklaruar Gruevski.
Gruevski në afat prej tre ditëve ka të drejtë të ankimojë vuajtjen e dënimit me burg. Nëse gjykata e refuzon kërkesën e tij, ish kryeministri ka të drejtë ankese deri në Këshillin penal. Nëse tre gjykatësit e Këshillit e refuzojnë kërkesën, Gruevski patjetër duhet të paraqitet në burg. Për ta shtyrë fillimin e vuajtjes së dënimit, ish kryeministri duhet të tregojë arsye të forta. Nikolla Gruevski është i dënuar me 2 vjet burg për “marrje të shpërblimit dhe ndikimit kundër- ligjor” gjatë furnizimit të Mercedesit të blinduar luksoz prej mbi gjysmë milionë euro.