Gruevski ndryshon qëndrim: Do të përmirësojmë raportet me shqiptarët
Ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski ka premtuar se do të bashkëpunojë me shqiptarët, nëse në të ardhmen rizgjidhet kryetar i qeverisë. Për Gruevskin, stereotipi se partia e tij nuk përkrah shqiptarët është një perceptim i gabuar i krijuar nga LSDM, e cila nuk do të sjellë asnjë të mirë për qytetarin shqiptar.
Ish-kryeministri Nikola Gruevski ka premtuar se do të mbajë një qëndrim ndryshe ndaj shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar, nëse rizgjidhet në të ardhmen si kryetar i qeverisë. Deklarata e liderit të VMRO në 27-vjetorin e krijimit të partisë, vjen në kundërshtim me prononcime të mëhershme të tij, ku shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar akuzoheshin për destabilizimin e vendit.
Gruevski: “Ne duhet të punojmë që të ndryshojmë perceptimin që kanë krijuar strukturat e LSDM-së ndaj shqiptarëve, duke krijuar stereotipe, sipas të cilave koalicioni me ndonjë partner politik shqiptar do të ishte barrë e rëndë.”
Gruevski deklaroi më pas se shqiptarët nuk do të shohin asnjë të mirë nga qeveria aktuale dhe VMRO do të jetë partia ku ata mund të mbështeten në të ardhmen. Ish-kryeministri gjithashtu lajmëroi se partia e tij do të pësojë ndryshime dhe do të shtohet me figura të reja që do të jenë gati të përballojnë sfidat që presin VMRO-në.