Hapja e negociatave, Maqedonia pret “dritën jeshile” në qershor
Maqedonia e Veriut pret të marrë dritën jeshile në qershor për çeljen e negociatave. Vendimi për datën eventuale do të vijë vetëm disa javë pas publikimit të raportit të progresit nga Komisioni Evropian.
“Tani është momenti. Koha, sigurisht, është e shkurtër dhe sfiduese. Raporti i Komisionit do t’u adresohet gjërave që janë bërë në krahasim me kohën e kaluar. Mund të vërejmë ndryshime në disa sfera si marrëdhëniet me fqinjët, Parlament funksional, opozita e cila merr pjesë në punën e Kuvendit dhe në negociata për çështje të rëndësishme, etj. Kjo e dallon vendin nga vendet e tjera të rajonit. E bën unik në kuptimin pozitiv. Kur e krahason me vendet e tjera e shikon se në përgjithësi funksionon mirë. Reformat do të jenë pjesë e rëndësishme e raportit. Do të jemi në gjendje të vërejmë ndryshime dhe përmirësim. Sigurisht ka punë që mund të ishin bërë më shpejt”, thanë burime diplomatike për Alsat-m.
Realizimi i zgjedhjeve të drejta për President është i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, vlerësojnë burimet diplomatike të BE-së. Nuk do të ketë krizë në rast se ata nuk janë të suksesshme edhe në rrethin e dytë sepse Kushtetuta parashikon ushtrimin e funksionimit të përkohshëm të presidentit nga krye parlamentari. BE-ja nuk e mbështet bojkotin e mundshëm në zgjedhje.
Sa i takon faljes së mundshme nga ana e presidentit të të gjykuarve për 27 prillin, burimet thonë se do të ishte lëvizje me ndikim negativ.
“Më 27 prill ne bëmë thirrje për përgjegjësi. Nuk do të ishte pozitive nëse shohim falje për të gjithë. E drejta ligjore e presidentit për falje është e sfiduar dhe nëse kjo ndodh, mendoj se do të ndikojë në adresimin e shtetit të së drejtës që veçmë është sferë e brishtë. Në gjyqësor nuk shohim shumë ndryshime te mentalitetit prandaj presim ligjin për Prokurorinë Speciale. Definitivisht do të ndikojë nëse ndodh edhe falje”.