Haradinaj: Trysnia ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së, është krim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten se trysnia e Serbisë ndaj pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë është krim dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me të drejtat e njeriut.

Ai i bëri këto komente pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, i cili shqyrtoi gjendjen e sigurisë në vend pas trysnisë së Beogradit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb që shërbejnë në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Dikush po ushtron krim ndaj këtyre qytetarëve të Kosovës ndaj të rinjve dhe të rejave, ndaj familjeve të tyre, është kundër konventave dhe kundër të drejtave të njeriut, është kundër jetës dhe sigurisë së këtyre qytetarëve dhe ne si Kosovë kemi vepruar me kohë, kemi marr ato veprime të nevojshme si në planin e brendshëm dhe të jashtëm që të sqarohet ky veprim i papranueshëm”, tha kryeministri Haradinaj.

Tetë pjesëtarë të komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës, u kanë kërkuar zyrtarëve që t’i lirojnë nga detyra për shkak të siç thuhet, trysnisë së Beogradit ndaj tyre.

Që nga fillimi i këtij viti, zyrtarë në Serbi kanë bërë thirrje për largimin e serbëve të Kosovës të përfshirë në Forcën e Sigurisë që shihet si Ushtria e ardhshme e Kosovës. Disa raste të djegies së makinave kanë ndodhur në veriun e Kosovës, që lidhen kryesisht me familjarë të pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se institucionet e Kosovës do të marrin veprimet e nevojshme në situata të tilla.

“Shumica e tyre në deklarimet e motiveve për lirim pra paraqesin trysninë e paraqitur drejtpërdrejt nga autoritetet e Beogradit zyrtar qoftë gjatë lëvizjeve të tyre në Serbi, ndalimin, marrjen në pyetje dhe kërcënimin për ta, për jetën e tyre dhe të familjes e deri të instrumentet tjera që janë përdorë, përfshirë edhe mekanizma tjerë të institucioneve të fshehta që operojnë në Kosovë, të cilët e kanë zbatuar këtë agjendë të trysnisë, shantazhit dhe kërcënimeve ndaj pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të thotë të pjesëtarëve serb të Kosovës”, tha ai.

Aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës shërbejnë rreth 135 pjesëtarë të komunitet serb, numër ky që është shtuar viteve të fundit.

Sipas njohësve të sigurisë, trysnia ndaj pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë lidhet me zhvillimet pozitive në këtë institucion me përfshirjen e komuniteteve.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Shndërrimi i saj në ushtri po pamundësohet për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e ushtrisë së ardhshme të Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

SHKARKO APP