Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç “pajtohen” nëpërmjet telefonit

Sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka biseduar me telefon me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në një postim në rrjetet sociale ai tha se “u pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Biseda pason takimin e nivelit të lartë të 24 janarit në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në një në një përpjekje të Bashkimit Evropian për të ulur tensionet ndërmjet të dyja vendeve.

Më 14 janar Kosova ndaloi hyrjen në territorin e saj të një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe me ikonografi kishtare mesjetare.

Zhvillimet rreth trenit nxitën luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve. Treni ishte kundërshtuar nga Kosova e cila atë e cilësoi si një provokim të sovranitetit të saj, ndërsa Beogradi akuzoi Kosovën për dërgimin e njësive të posaçme të policisë në veriun e banuar me shumicë serbe dhe siç u tha nxitjen e konfliktit.

Treni pasoi tensionet edhe ashtu të larta, pas ndalimit në Francë të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Të dyja palët e cilësuan takimin e 24 janarit shumë të vështirë, ndërsa janë pajtuar për vazhdimin e një serie takimesh në nivelin e lartë politik. Jo zyrtarisht java e ardhshme mund të jetë periudhë e një takimi të ri të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur nëntë vjet më parë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Ajo hapu negociatat për anëtarësim pas marrëveshjeve me Kosovën e cila nënshkroi ndërkaq marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian.

SHKARKO APP