Heroina kalon nga Ballkani në Europë, thotë raporti i SHBA
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit i publikuar të mërkurën thotë se vendet e Ballkanit mbeten pika të rëndësishme transit për heroinën nga Afganistani dhe droga të tjera të paligjshme.
Nga Dusica Tomovic/ BIRN
Raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Strategjinë ndërkombëtare të kontrollit të narkotikëve thotë se trafikantët e drogës po përdorin Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë, Kroacinë dhe Bosnjen për të transportuar heroinë nga Afganistani dhe Azia Qendrore në Europën Perëndimore.
Shqipëria mbetet një burim i rëndësishëm i kanabisit, si dhe një itinerar transit për transportimin e kokainës dhe heroinës destinuar për tregjet europiane, shkruhet në të.
Raporti lavdëron Shqipërinë për një “grup mbresëlënës arrestimesh dhe sekuestrimesh” kundër prodhimit të drogës dhe rrjeteve të trafikimit që operuan në vend në vitin 2015, një trend që vazhdon nga viti 2014.
“Ky sukses mund të lidhet me vazhdimësinë e bashkëpunimit rajonal me njësitë e mbikëqyrjes së policisë italiane dhe zotimin më të madh të liderëve politikë dhe atyre të policisë për të prioritizuar përpjekjet anti-drogë,” thuhet në raport.
Sipas raportit, Bosnja-Hercegovina nuk është një prodhues apo konsumuar madhor i narkotikëve të paligjshëm dhe është kryesisht një vend transit.
“Aftësitë për kontrollin e narkotikëve në Bosnje-Hercegovinë janë të kufizuara. Forcat e zbatimit të ligjit dhe institucionet e sigurisë duhet të zhvillojnë kapacitet të mëtejshëm,” tha Departamenti i Shtetit.
Kroacia është gjithashtu një pikë transit për trafikimin e drogave të paligjshme përgjatë itinerarit të trafikimit në Ballkan. Heroina dhe marijuana e cilësisë së lartë trafikohen për nga perëndimin, ndërsa kimikatet pararendës dhe drogat sintetike që kanë origjinën në Europë trafikohen për nga lindja.
Në Kosovë, shteti më i ri i krijuar nga ish-Jugosllavia, vlerësimi i ndikimit të korrupsionit në trafikim është i vështirë, sipas raportit.
“Ligjet e ndalojnë korrupsionin e lidhur me narkotikët por vazhdojnë akuzat se narkotikët lëvizin në kufijtë e Kosovës, ndonjëherë me dijeni të zyrtarëve,” thekson raporti.
Veçse një rrugë e rëndësishme trasiti e heroinës afgane, ka prova në rritje se trafikantët malazezë janë të përfshirë direkt në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut në Europë, thotë raporti.
Ai vlerëson se 15 për qind e drogave të trafikuara nëpër Malin e Zi konsumohen në vend.
Serbia, ashtu si vendet e Ballkanit, nuk është një vend i rëndësishëm burimi apo tregu për drogat e paligjshme, por mbetet një vend transit për drogat e trafikuara në tregjet e tjera europiane.
Sipas zyrës së OKB për Drogat dhe Krimet, rreth 50 ose 60 tonë metrik heroine që e kanë origjinën nga Afganistani vijnë transit në Serbi çdo vit përmes itinerareve të trafikimit në Ballkan kontrolluar nga organizata kriminale shumëkombëshe.
Ndonëse tregjet e narkotikëve në rajon janë të vogla, raporti thekson se konsumi i brendshëm i drogave po rritet dhe se drogat e kaluara transit nëpër rajon po rrisin zhvillimin.