Heshtja pas lirimit të një krimineli të luftës!
Gjykata e Lartë e Beogradit e liroi nga burgu kriminelin e luftës Saša Cvjetan, ish-pjesëtar i njësisë policore serbe «Škorpion». Cvjetan qe dënuar me 20 vjet burg, por meqë ka vuajtur dy të tretat e dënimit – ai tani është i lirë. Qytetar i lirë. Serb i lirë. Ndoshta edhe hero për shokët e tij, për shoqërinë serbe. Ndoshta tani ai është duke festuar në ndonjë kafehane për aktin e tij «heroik», në të vërtetë mizor.
Cvjetan më 1999 ka vrarë 14 civilë shqiptarë – prej tyre edhe shtatë fëmijë nga mosha dy deri 15-vjeçare dhe shtatë gra. Në historinë bashkëkohore të Kosovës këto vrasje njihen si masakra e Podujevës.
Kundër lirimit të Saša Cvjetan nuk protestoi presidenti i Kosovës.
Kundër lirimit të tij nuk protestoi kryeministri i Kosovës.
Kundër lirimit të tij nuk protestoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Kundër lirimit të tij nuk protestoi asnjë deputet/deputete.
Kundër lirimit të tij nuk protestoi askush nga e ashtuquajtura shoqëri civile.
Kundër lirimit të tij protestoi vetëm Saranda Bogujevci, e cila e ka mbijetuar masakrën.
Heshtën edhe shumica e mediave.
Dallimi me Serbinë është evident: të enjten kryeministrja serbe foli për aktin terrorist në Mitrovicë. Disa menduan se e kishte fjalën për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Jo, akt terrorist ajo e quante arrestimin e Marko Gjuriqit nga policia e Kosovës.
Ata bëjnë propagandë gebelsiane, ne heshtim kur kriminelët e luftës lirohen dhe viktimat mbesin vetëm për të protestuar!
/DialogPlus/