Hije dyshimesh në gjyqin e “terroristëve shqiptarë” në Maqedoni

Gjyqi i 37 personave të dyshuar si anëtarë dhe bashkëpunëtorë të një grupi terrorist etnik shqiptar që u përlesh me policinë maqedonase në Kumanovë vitin e kaluar është shoqëruar me akuza për dëshmitarë të rremë dhe dhunë nga ana e policisë.

Nga Semra Musai

Gjyqi i 29 personave të armatosur dhe tetë bashkëpunëtorët e tyre të dyshuar, të akuzuar si pjesë ose se kanë ndihmuar një grup terrorist që luftoi me forcat e sigurisë gjatë një shkëmbimi dy ditor zjarri në qytetin verior maqedonas të Kumanovës në maj të vitit të kaluar, është goditur nga pretendimet e mbrojtjes se dëshmitarët e prokurorisë janë trajnuar që të gënjejnë në gjykatë.

Gjyqi ka vazhduar me dyer të mbyllura, por Artene Ademi Iseini, avokatja e 11 të pandehurve, pohoi se dëshmitarët e mbrojtur që kanë dhënë dëshmi janë trajnuar nga prokurorët të përsërisin versionin e autoriteteve në lidhje me atë që ndodhi në Kumanovë.

“Dëshmitarët e prokurorisë po përshkruajnë në mënyrë shumë cinike gjëra që ndoshta vetë prokuroria i ka mësuar ata se çfarë të thonë. Dëshmia e tyre është kontradiktore, konfuze dhe nuk e mbështet padinë. Në disa raste ajo është komprometuese për policinë dhe prokurorinë,” tha për Iseini për BIRN.

Më shumë se një vit pas shkëmbimit të zjarrit në Kumanovë, i cili ndodhi në maj 2015 dhe që la pas 18 të vdekur, Iseini tha se e vërteta për atë që ndodhi në shkëmbimin dy ditor të zjarrit mbetet ende e paqartë.

Prokuroria thotë se grupi hartoi një plan për të krijuar një grup terrorist dhe siguroi para, armë, municione dhe furnizime mjekësore.

Sipas prokurorisë, ata fillimisht sulmuan dhe grabitën një stacion policie në fshatin malor të Goshinces, pranë kufirit me Kosovën më 21 prill dhe 22 2015.

Është pohuar se ata vodhën armë nga stacioni policor, të cilat i përdorën për sulmin ndaj forcave të sigurisë në Kumanovë më 9 dhe 10 maj.

Shtatëmbëdhjetë nga të pandehurit nuk janë nga Maqedonia, por nga Kosova. Njëri ka nënshtetësi kosovare dhe gjermane.

Të gjithë i dënojnë akuzat dhe thonë se shkëmbimi dy ditor i zjarrit ishte rezultat i tyre që mbronin veten nga policia.

Avokatja Iseini tha se prokuroria s’ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e saj.

“Nuk jam dakord me akuzat për terrorizëm, sepse më 9 dhe 10 maj, këta njerëz nuk sulmuan. Përkundrazi, forcat e policisë sulmuan grupin. Nuk ka viktima civile, rrëmbime dhe ata u dorëzuan me ndërmjetësimin e OSBE-së,” tha ajo.

Iseini tha se ajo besonte se akuzat për terrorizëm do të rrëzoheshin dhe se akuza të reja do të ngriheshin kundër tyre.

“Ata do të akuzohen për sulm me armë, qëndrim të paligjshëm në territorin maqedonas dhe vrasje për vetëmbrojtje,” sugjeroi ajo.

Iseini sugjeroi gjithashtu se burrat mund të jenë futur në kurth nga autoritetet.

“Ne, avokatët, kemi kuptuat se dikush i futi në kurth dhe manipuloi këta burra duke përdorur ndjenjat e tyre patriotike ose donte të merrte hak kundër disa prej pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur të vitit 2001,” u shpreh ajo.

Në vitin 2001, Maqedonia kaloi një konflikt të shkurtër të armatosur midis rebelëve shqiptarë dhe forcave të sigurisë.

Konflikti përfundoi të njëjtin vit me nënshkrimin e një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, e cila garantoi më shumë të drejta për shqiptarët që përbëjnë çerekun e popullsisë prej 2.1 milion banorësh të vendit.

Akuzat për keqtrajtim nga policia

Avokatët mbrojtës në gjyq kanë vazhduar të ngrenë shqetësime në lidhje me brutalitetin e dyshuar të policisë ndaj klientëve të tyre gjatë transportimit të tyre nga burgu në gjykatë dhe anasjelltas.

“Ata goditen në qafë, brinjë, këmbë, ua fusin gishtat në gojë, ua lidhin kokën në dysheme dhe gjithashtu janë kërcënuar dhe ofenduar në baza etnike,” tha Iseini.

Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Mehmeti, i cili ka vizituar të pandehurit në burgjet në Shkup, Prilep dhe Manastir, tha se ai ka vënë re shkelje të të drejtave të tyre dhe ka paraqitur ankesa penale.

Mehmeti tha për BIRN se dy nga ankesat e tij po hetohen, por prokuroria në Manastir tha se pretendimet e tij ishin të pabaza.

Prokuroria në Shkup konfirmoi se ka marrë ankesat penale nga Avokati i Popullit dhe avokatët e të pandehurve dhe i ka shkrirë ato në një çështje.

“Prokurori po merret intensivisht me rastin,” tha për BIRN prokuroria në Shkup.

Zv/ministri i Brendshëm Agim Nuhiu, tha se është ngritur një komision për të hetuar pretendimet për brutalitet të policisë ndaj të pandehurve.

“Ne po mbledhim ankesa, materiale provë nga institucione të tjera, po komunikojmë me disa institucione, si edhe po ndjekim raportet e medias për të zbuluar të vërtetën për këto akuza,” tha Nuhiu për BIRN.

Ministri i Drejtësisë Valdet Xhaferi këmbënguli megjithatë se të pandehurit nuk po torturoheshin gjatë mbajtjes në paraburgim, por ai nuk deshi të komentonte në lidhje me atë që ndodhi gjatë transportimit të tyre në gjykatë, duke pretenduar se ai nuk ka autoritet për këtë.

“Gjatë kohës që janë në paraburgim, të pandehurit po trajtohen në përputhje me ligjin.,” tha Xhaferi për BIRN.

Gjyqi mund të rifillojë përsëri

Gjyqi mund të duhet të fillojë përsëri nga e para për herë të dytë, thanë avokatët.

Në maj të këtij viti, gjykata vendosi ta riniste gjyqin pasi çështjet kundër personave të dyshuar të armatosur dhe bashkëpunëtorëve të tyre, të cilët u arrestuan në tetor 2015 në fshatrat pranë kufirit me Kosovën, u shkrinë në një.

Tani që një tjetër i dyshuar është ndaluar, është i nevojshëm një tjetër rifillim i çështjes, tha Iseini.

“Pas ekstradimit të një tjetër të dyshuari, Sulejman Osmani, nga Kosova në qershor të këtij viti, gjykata është e detyruar ta rinisë procesin nga e para,” tha ajo.

Prokuroria konfirmoi se ka ngritur një padi kundër Osmanit, por nuk tha nëse ka propozuar apo jo shkrirjen e çështjes me atë kundër të pandehurve që tashmë janë në gjyq.

“Prokuroria ka dërguar në Gjykatën e Shkallës së Parë padinë kundër personit që u ekstradua në Shkup. Për momentin, padia po shqyrtohet nga gjykata,” tha prokuroria për BIRN.

Gjykata e Shkallës së Parë ndërkohë tha se nuk është marrë ende asnjë vendim.

“Nuk mund të paragjykojmë nëse çështja e Kumanovës do të nisë apo jo përsëri nga e para, sepse aktakuza nuk është vlerësuar ende, ndërsa shkrirja e të dyja çështjeve nuk është diçka që gjykata mund ta vendosë vetëm, por duhet të propozohet nga prokurori i autorizuar,” tha gjykata për BIRN.

Osmani u arrestua në fshatin Letincë pranë Vitit në Kosovën lindore korrikun e vitit të kaluar.

Ai fillimisht u ndalua nga policia maqedonase pas shkëmbimit të zjarrit, por arriti të arratisej disa ditë më vonë, pasi policia e çoi atë në një terren malor pranë kufirit me Kosovën ku ai pritej të tregonte vendndodhjen e një grumbulli armësh të fshehura.

Thirrje për hetim

Shkëmbimi i zjarrit në Kumanovë ndodhi në sfondin e një krize të thellë politike në Maqedoni, e cila vërtitej rreth pretendimeve të opozitës se ish-kryeministri Nikola Gruevski urdhëroi përgjimin e paligjshëm të rreth 20,000 personave.

Përgjimet e bëra publike nga opozita vitin e kaluar nxorën në dritë një rrjet të ndërlikuar korrupsioni, ryshfetesh dhe manipulimi.

Lideri i Social Demokratëve, Zoran Zaev, shprehu shqetësime pas shkëmbimit të zjarrit në Kumanovë se qeveria e udhëhequr nga Gruevski po përdorte shkëmbimin e zjarrit për të tërhequr vëmendjen nga kriza politike në vend.

Ditë pas kasaphanës, Ministrja e Brendshme Gordana Jankuloska dhe kreu i policisë sekrete Saso Mijalkov dhanë dorëheqjen.

Megjithatë, në letrat e dorëheqjes që ata dorëzuan në parlament, ata këmbëngulën se largimi i tyre nuk kishte aspak lidhje me ngjarjet në Kumanovë.

Dyshimet e shprehura në atë kohë nga liderët e opozitës dhe disa vëzhgues politikë se shkëmbimi i zjarrit ishte një kurth politik për të larguar vëmendjen nga kriza që po shoqëronte qeverinë e Gruevskit mbeten të pasqaruara.

Mbrojtja do që në provat e paraqitura në gjykatë të përfshihen edhe përgjimet e bëra nga shërbimet maqedonase të inteligjencës si edhe ato nga vendet e tjera, të cilat ato pretendojnë se grupi u pagua dy milion euro nga autoritetet për të inskenuar shkëmbimin e zjarrit.

Disa vende të BE-së, përfshirë Gjermania, vitin e kaluar mbështetën thirrjet vendase për një hetim ndërkombëtar për përplasjen e armatosur në Kosovë.

Gjyqi vazhdon.

BIRN

SHKARKO APP