Hijet që la ikja e emisarit të SHBA! Qeveria e Kosovës: Lajmi për largimin e Escobar nuk doli nga ne

“Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës.” Ishte kjo fraza e thënë nga Gabriel Escobar, në audiokonferencën e lamtumirës si emisar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, që la shumë hije nga pas.

Mirëpo qeveria e Kosovës, për Zërin e Amerikës, mohon çfarëdo sugjerimi “se lajmi rreth përfundimit të mandatit të Escobar të ketë dalë nga qeveria e Republikës së Kosovës”. Në adresimin e tij për mediat, zyrtari i Departamentit të Shtetit konfirmoi se në fund të muajit do të largohet nga detyra që mban, jo si i shkarkuar, por sepse i ka përfunduar mandati, duke u përgjigjur kështu raportimeve të fundit për konflikt interesi.

“Gjithçka që thuhet në atë shkrim është gënjeshtër. Unë nuk jam shkarkuar nga detyra dhe gruaja ime nuk merr para nga asnjë shtet i huaj, kudo që kam shërbyer, ajo ka mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët, pa asnjë gjë në këmbim dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë.

Unë gjithashtu nuk kam ndonjë lidhje me një firmë ligjore në Teksas. Është gjithashtu e pasaktë që një informacion i tillë mund të ketë ardhur nga Kongresi, sepse ai nuk merret me atë çështje”, tha Gabriel Escobar, emisar i SHBA për Ballkanin Perëndimor.

SHKARKO APP