Institucionet e Maqedonisë në sprovë të re për Marrëveshjen me Greqinë
Kuvendi i Maqedonisë javën e ardhshme sërish do votojë Marrëveshjen për emrin me Greqinë, pasi presidenti Gjorge Ivanov refuzoi ta dekretojë ligjin që u miratua me shumicë votash, më 20 qershor, me arsyetimin se marrëveshja që parasheh ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Maqedonia e Veriut” është antikushtetues.
Duke marrë parasysh refuzimin e parë, partitë në pushtet nuk e përjashtojnë mundësinë që presidenti ta refuzojë edhe votimin e dytë, andaj nuk po shqyrtojnë mundësinë juridike që ligjin ta fuqizojnë apo ta shpallin në Gazëtën Zyrtare, pa nënshkrimin e presidentit.
Njohësit e çështjeve juridike, thonë se presidenti si në rastin e Marrëveshjes me emrin me Greqinë, ashtu edhe me Ligjin për gjuhën shqipe, që po ashtu nuk është dekretuar, bënë shkelje të Kushtetutës dhe se për këtë duhet të mbajë përgjegjësi.
“Presidenti nuk e ka një të drejtë të tillë, si të drejt absolute. Ai ka të drejtë që një ligj të cilin e miraton Kuvendi, në votimin e parë të mos e dekretojë, por pas votimit të dytë, ai është i obliguar të fuqizojë ligjin. Nëse këtë nuk e bën, atëherë ai duhet të bartë përgjegjësi. Kushtetuta qartë i ka të përcaktuar të drejtat e presidentit dhe nuk mbajnë pretendimet e disa intelektualëve maqedon se gjoja presidenti ka të ‘drejtën e xhepit’, dhe kur të dojë mund t’i vë veto ligjeve. Me veprimet që bënë presidenti manifeston të drejtën absolute, por një të drejtë të tillë nuk e ka. Nëse nuk e dekreton atëherë hapet një kaptinë e re, ajo e përgjegjësisë ndaj tij”, thotë Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Marrëveshja për emrin, nga partitë në pushtet vlerësohet si një nga vendimet më të rëndësishme që nga pavarësia e Maqedonisë dhe Marrëveshja e Ohrit, por partia opozitare VMRO-DPMNE dhe presidenti i shtetit i zgjedhur në këtë post me votat e VMRO-së, thonë se Marrëveshja për emrin paraqet “kapitullim dhe tradhti kombëtare”, meqë sipas tyre, me të hiqet dorë nga identiteti dhe gjuha maqedonase.
Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike thotë se pavarësisht rezervave që mund të ketë, kreu i shtetit duhet ta respektojë Kushtetutën, por duke marrë parasysh qëndrimet e betonuara të palëve, ai zgjidhjen e ngërçit e sheh në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si mundësi për të shmangur bllokadat e presidentit.
“Sikur të bëhej fjalë për njerëz të kuptueshëm, ata do të uleshin dhe do të merreshin vesh. Por, me atë njeri më nuk është e mundur të ulesh, as të bisedosh, e as të përballen argumentet. Nuk pres që të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimin e tij. Nuk mund të fillojë as ndonjë procedurë për përgjegjësinë e tij, për shkak të mungesës së numrave në Kuvend. Deklarata e kryeministrit, Zoran Zaev se mund të shkohet edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare, mendoj se është opsioni më i mirë”.
“Shumica e tanishme besoj se në këto zgjedhje do të fitonte shumicën, madje edhe dy të tretat dhe Kuvendi dhe më këtë zgjidhen edhe bllokadat që bën presidenti i shtetit. Përndryshe, Ivanov edhe pas miratimit të dytë në Kuvend të Marrëveshjes, ai nuk do të ndryshojë mendjen, pra sërish do të refuzojë ta dekretojë ligjin”, thotë Dujoski.
Ismet Ramadani nga Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë thotë se nuk mbajnë pretendimet se gjoja me këtë marrëveshje rrezikohet identiteti maqedon. Ramadani thotë se Marrëveshja për emrin duhet të zbatohet, pasi përveç NATO-s, Maqedonia alternativë tjetër nuk ka.
“Ka të papërgjegjshëm që fare nuk e kanë lexuar marrëveshjen dhe debatojnë për të, duke thënë se e kemi humbur identitetin, e kemi humbur gjuhën, e kemi humbur shtetin…nuk ka kuptim që të ndjellin aq pasiguri dhe të manipulojnë me emocionet e qytetarëve tanë. A ka alternativë tjerë? S’ka sepse nuk ka tjetër NATO. Prandaj duhet të bëjmë çmos që këtë Marrëveshje për emrin me Greqinë ta zbatojmë, pra të marrim ftesën për anëtarësim dhe të vazhdojmë me përmbushjen e kushteve tjera duke filluar nga ratifikimi i saj në Kuvend, që më pas edhe të bëhemi anëtarja e 30-të e NATO-s. Kjo është e mira jona”, thotë Ramadani.
Maqedonia ftesën për anëtarësim në NATO e pret në samitin e aleancës më 11 dhe 12 korrik në Bruksel, por pranimi i saj nuk do të bëhet pa zbatimin e Marrëveshjes së emrit. Sa i përket Bashkimit Evropian, ajo ka marrë datë për çeljen e negociatave në qershor të vitit 2019, por me kusht që të përmbushë disa kritere, si luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të zbatojë reformat në gjyqësor dhe të zbatojë Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit. /REL/