Ish presidenti serb paralajmëron konflikt të ri me Kosovën

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka komentuar marrëveshjen e Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për ‘blic.rs’,   Tadiç është shprehur se nëse problemi i Kosovës do të zgjidhej në atë mënyrë që njëra palë do të fitonte gjithçka dhe pala tjetër do të humbte gjithçka, me shumë mundësi do të lindë një konflikt i ri.

“Të gjitha zgjidhjet tjera na dërguan në një situatë ku një palë merr gjithçka dhe një tjetër humb gjithçka, gjë që mund të dërgojë në një shpërthim të një konflikti të ri në të ardhmen. Është e vështirë për të llogaritur se cili opsion është më i keq. Absolutisht nuk pajtohem me ata që mendojnë që duhet të vazhdohet konflikti i ngrirë, e as me ata që besojnë që duhet hequr dorë nga Kosova sa më parë të jetë e mundur, pasi asnjë prej tyre nuk i kuptojnë implikimet e qasjeve të tilla”, është shprehur Tadiç.

Ai ka shtuar se konflikti i ngrirë nuk do të mund të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë për shkak të rritjes ekonomike dhe demografike të Serbisë.

“Të ashtuquajturit zëra modernistë të cilët thonë se duhet të tërhiqemi nga Kosova sepse konsiderojnë se tashmë ajo pjesë është e humbur, e pengon zhvillimin tonë të mëtejshëm ekonomik, pasi një vend që heq dorë aq lehtë nga pjesë të territorit të saj i dërgon sinjale të tjera se është në gjendje ta bëjë këtë edhe me pjesët e saj të tjera, dhe do të jepte një mesazh për  investitorët se është një vend i paqëndrueshëm”, ka thënë ndër të tjera Boris Tadiç.

Ai ka thënë se partia e Aleksander Vuçiçit ka qenë një nga partitë e cila e ka sjellë këtë gjendje në raport me Kosovën, pasi sipas tij që nga vitet e 90-ta kanë bërë veprime të cilat e kanë ngushtuar hapësirën vepruese për zgjidhjen e problemit të Republikës së Kosovës.

Tadiç thotë se për të mbuluar këto dështime, tashmë ata akuzojnë qeverisjen paraprake në Serbi.

SHKARKO APP