Ish-zyrtari i DASH: Rrezik real për kon*likt, SHBA të mbështesin Kosovën
Profesori amerikan David Phillips mendon se ekziston një rrezik real për një konflikt të armatosur në Kosovë pasi Rusia dëshiron të shmang vëmendjen nga Ukraina. Në një intervistë për A2 CNN, ish-këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit thotë Shtete e Bashkuara duhet të mbështesin Kosovën.
“Mendoj se ekziston një rrezik real që Rusia mund të përpiqet të hap një front tjetër midis Serbisë dhe Kosovës si një mënyrë për të shpërqendruar Shtetet e Bashkuara nga ngjarjet në Ukrainë, kështu që ne duhet të jemi vigjilentë dhe duhet të mbështesim Kosovën”, u shpreh Phillips.
Për mungesën e rezultateve në dialog, profesori Phillips e bën fajtor presidentin aktual të Serbisë, ndërsa Kosovës i sugjeron që të këmbëngulë që Uashingtoni të jetë në tryezën e bisedimeve dhe të shërbejë si ndërmjetës.
“Vuçiç është përgjegjës. Ai nuk është i interesuar të ketë një diskutim të sinqertë me zyrtarët e Kosovës. Ai është i interesuar të imponojë vullnetin e Serbisë. Kjo nuk është një fushë loje e barabartë dhe kjo nuk është një recetë për përparim. Kosova duhet të insistojë që Shtetet e Bashkuara të marrin pjesë si ndërmjetës dhe që zyrtarët amerikanë të jenë në sallë kur të takohen me Serbinë”, deklaroi ish-zyrtari.