Iu vra djali nga 3 shqiptarë, familja greke denoncon policinë: Vrasësit ikën nga Kakavija në Shqipëri
Familjaret e 19-vjeçarit grek të vrarë më 18 mars nga 3 shqiptarë në lagjen ‘Marussi’ të Athines, akuzojnë policinë se nuk bëri atë që duhej për të kapur vrasësit. Familja e Thomas Heliotis bën të ditur se që nga momenti i pare pas krimit, policisë iu treguan foto të vrasësve, por policia pranoi se 2 prej të kërkuarve kishin kaluar normalisht pak orë më pas, kufirin në Kakavijë dhe nuk u ndaluan.
Familja ngre pikëpyetje se përse policia greke e nxori deklaratën zyrtare për 3 shqiptarët në datën 24 prill, në një kohë që kishin dëshmi të plota dhe foto që nga momentet e para pas krimit. Familja Heliotis akuzon median greke që e lidhi çështjen me drogën, pasi sipas saj, 19-vjeçari nuk ishte i përfshirë në debatin e shokëve te tij me shqiptaret.
Ai ndërhyri vetëm për të shmangur përplasjen, por u bë viktimë e goditjes vdekjeprurëse me thikë nga një 23 vjeçar shqiptar. Dje policia greke lëshoi 3 urdhër arreste për 3 shqiptare, 23, 24 dhe 33 vjeç, me akuzën e vrasjes me paramendim dhe kërcënimit per vrasje. Policia kërkon 3 shqiptaret për të cilët ka dyshime se u larguan menjëherë pas krimit drejt Shqipërisë.
Ndërkohë, burime nga Policia e Shtetit bënë me dije për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se 3 shqiptarët, që tashmë janë identifikuar, nuk kanë hyrë në territorin shqiptar. Autoritetet greke po bashkëpunojnë me palën shqiptare për kapjen e 3 autorëve të dyshuar. /BW