Ivanov këmbëngul për të mos nënshkruar marrëveshjen me Greqinë
Kabineti i presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov përgënjeshtroi sot konfirmimet e kryeministrit Zoran Zaev, dhënë në një intervistë për televizionin grek, ERT, sipas të cilave shefi i shtetit do ta përkrahte marrëveshjen me Greqinë për emrin.
Në njoftim theksohet se qëndrimi i presidentit Ivanov ”është i pandryshueshëm” dhe se “nuk do të ndryshojë nga asnjë lloj presioni, shantazhi apo kërcënimi”, shkruan atsh.
“Kryeministri Zaev me qëndrimet e tij të ndryshueshme, kontradiktore dhe konfuze vazhdon ta gënjejë dhe manipulojë opinionin e Maqedonisë, por edhe atë grek dhe ndërkombëtar. Anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO, nuk duhet që të keqpërdoret për pranimin e një Marrëveshje të dëmshme me pasoja të paparashikueshme për shtetin e Maqedonisë dhe popullin e saj. Presidenti i Maqedonisë nuk e pranon një marrëveshje në dëm të identitetit kombëtar të Maqedonisë dhe në dëm të interesave të Republikës së Maqedonisë”, citohet në njoftimin e kabinetit të presidentit Ivanov.