Ivanov: Terroristët kalojnë nëpër Maqedoni
Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov kërkon nga vendet e Evropës që urgjentisht të bëhen bashkë, të lidhen mes vete me bazat e të dhënave Shengen, Fronteks dhe Eurodak me qëllim që mos bëhen robër të procedurave burokratike.
Sipas kreu të shtetit, si pasojë e moslidhjes, mes emigrantëve që kaluan nëpër Maqedoni ka pasur persona që kanë qenë në betejat e Sirisë.
“Vetëm në Maqedoni, kemi 72 persona të kthyer, që kanë marr pjesë në beteja. Kanë shkuar si ekstremistë dhe u kthyen si terroristë. 60% e atyre nga Ballkani apo mbi 1000 persona kanë marrë pjesë në betejat në Siri. 60% tashmë janë kthyer. Ka një shifër prej 3000 të kthyerve në territorin e BE-së. Ata i kanë përdorur këto rrugë të refugjatëve “, deklaroi Gjorge Ivanov, President i Maqedonisë.
Ivanov tha se vazhdimisht është theksuar aspekti humanitar i krizës së refugjatëve, që është e nevojshme, por duhet të theksohet edhe aspekti i sigurisë.
Megjithatë, Ivanov tha se institucionet kompetente në vend janë ballafaquar mirë me valën e refugjatëve dhe se pikërisht për shkak të menaxhimit të mirë qytetarët nuk e kanë ndier se nëpër territorin e Maqedonisë, në muajt e fundit kanë kaluar më shumë se një milion refugjatë dhe emigrantë.