Kancelari austriak Kurz kërkon vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës
Austria theksoi të hënën rëndësinë e vazhdimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Vetë kancelari austriak, Sebastian Kurz, që ndodhet në Beograd për bisedime, tha se kjo është mënyra e vetme për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, inkurajoi të hënën vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Sipas tij kjo është mënyra e vetme për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.
“Është një mundësi unike që historia të mbetet histori dhe së bashku të ecim drejt së ardhmes”, tha Kurz në konferencën e përbashkët për shtypin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Nga këndvështrimi im, ky dialog duhet të përfundojë me sukses dhe për këtë u kërkoj popujve që t’i mbështesin të gjithë politikanët që duan të marrin këtë rrugë. E kemi të rëndësishme bashkëjetesën paqësore, që e kaluara të mbetet e kaluar dhe në këtë rajon të ketë qëndrueshmëri e paqe dhe jo shkatërrim e luftë”, tha Kurz.
Presidenti Vuçiç tha se Austria, pavarësisht njohjes së pavarësisë së Kosovës dhjetë vjet më parë, mbështet çdo zgjidhje midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Serbët dhe shqiptarët janë milje larg një zgjidhjeje, por nëse arrijmë të bëjmë kompromis, kjo do të garantonte paqen në 100 vjetët e ardhshëm”, tha Vuçiç.
Gjatë kësaj vizite në Serbi, Kurz do të takohet gjithashtu edhe me kryeministren serbe, Ana Brnabiç.